Listeners:
Top listeners:
play_arrow
Window Radio
Me datën 2 tetor të vitit 2022, BESART XHAFERRI u zgjodh Kryetar i Forumit Rinor. Për shumëkënd ky duhej të ishte një moment shprese, një pikënisje e re, një hap drejt ndryshimit dhe ringritjes së brezit të ri në politikë. Por për mua, dhe për shumë të tjerë që e kanë jetuar nga afër këtë periudhë, ky moment solli vetëm zhgënjim të thellë. Një zhgënjim aq të madh, sa krahasohet me ato ditë të errëta kur doktor Berisha u shpall “non grata” dhe iu vendos arrest shtëpie, ndërsa Forumi Rinor heshti, nuk reagoi, nuk mbajti qëndrim, sikur nuk ekzistonte.
Më e dhimbshme se kaq ishte fakti se personi që ky zotëria zgjodhi për kryetar të Forumit Rinor në degën time, tek Dega 5, nuk solli asgjë veçse një shfaqje boshe pushteti. Ai shëtiste me kryetarllëkun në xhep, si një kartë vizite, dhe nuk linte rast pa thënë frazën: “Unë jam kryetari.” Fjalë të mëdha, por të zbrazëta. Në fund, ajo që mbeti, ishte një shije e hidhur që nuk largohet lehtë.
Ne prisnim shumë më tepër. Prisnim që me shkollimin në Londër, ai të sillte një frymë tjetër, më bashkëpunuese, më vizionare, që të na nxiste të ndiheshim pjesë e një forumi të gjallë. Por fatkeqësisht, ajo frymë mungoi. Çdo shpresë u zëvendësua nga arroganca. Nëse guxoje të kishe një mendim ndryshe, nëse e kundërshtoje Zotërinë, përfundoje menjëherë i bllokuar. Demokracia që ne ëndërronim në Forum, u kthye në një monolog personal.
Edhe më e trishtë ishte pamja e Forumit Rinor gjatë këtij viti. Përfaqësimi ishte për faqe të zezë: në rrjete sociale shikoje më shumë moshën e tretë duke shpërndarë fletëpalosje, ndërsa të rinjtë, ata që duhej të ishin në ballë të aksionit politik, pothuajse mungonin. Forumi Rinor u bë një emër bosh, një fasadë pa përmbajtje.
Dhe sot, ja ku jemi: zotëria është bërë deputet. Por pyetja është: çfarë do të bëjë në këtë rol? A do të sjellë ndonjë ndryshim? Apo thjesht do të ngrohë karrigen, ashtu siç bëri gjatë gjithë kohës në krye të Forumit Rinor? Sinqerisht, nuk kam më besim se do të ketë punë apo përkushtim. Shumë gjasa janë që do të vazhdojë të jetojë mbi titullin, mbi karrigen, por jo mbi punën dhe përkushtimin ndaj rinisë dhe shoqërisë.
Rea Lundra
Anëtare e Forumit Rinor, Dega 5
Written by: WindowMedia.de
Copyright Window Media Developed by Bledi Orhani