Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Art/Kulturë

BIJA E HËNËS DHE E DIELLIT!

todayFebruary 11, 2026 5

Background
share close

BIJA E HËNËS DHE E DIELLIT

Kulti i Diellit është ndër më të lashtët në trojet arbërore, ku ai shihej si sy mbikëqyrës i botës dhe burim force e pjellorie. Gjurmët e këtij besimi ruhen në simbolet e qëndisura të veshjeve popullore dhe në ritin e lashtë të ngjitjes në maja malesh për të pritur rrezet e agimit, një frymë që vazhdon të jetojë edhe sot në pelegrinazhin e malit të shenjtë të Tomorrit.

Ky besim ka qenë aq i fuqishëm, sa ka ditur të sjellë në Tokë edhe bijën e Hënës dhe të Diellit, një qenie të mbinatyrshme e lindur nga drita. Kjo qenie hyjnore, që nuk i përket kësaj bote, ka ardhur nga drita për të përmbushur vullnetin e Diellit dhe për ta kthyer fuqinë e tij në mirësi për tokën dhe njerëzimin.

Kjo qenie hyjnore zotëronte fuqinë e rrufesë për të goditur të keqen dhe për të mbrojtur të pafajshmit. Ajo kishte zbritur në tokë si ogur i mirë, për të sjellë drejtësi, mbrojtje dhe bekim. Rrufeja në dorën e saj ishte shenjë hyjnore që ndante të keqen nga e mira.

Bija e Hënës dhe e Diellit, ndryshe nga qeniet e tjera të mbinatyrshme si zanat dhe shtojzovallet, që ndërtojnë marrëdhënie martesore të brishta me njeriun, mbetet një përjashtim i rrallë. Ajo është e aftë të bjerë në dashuri me një qenie njerëzore dhe t’i qëndrojë kësaj lidhjeje besnike për gjithë jetën.

Një ditë, bija e Hënës dhe e Diellit u gjend ballë për ballë me një djalosh truphedhur. Në atë çast u duk sikur koha u ndal. Në sytë e tij digjej një dritë e heshtur, ndërsa ajo shkëlqente me një bukuri hyjnore që nuk i përkiste kësaj bote. Dukej sikur mbante dritën e qiellit në vështrim dhe butësinë e Hënës në flokët e verdhë.

Zemra e djaloshit u drodh; dashuria lindi rrufeshëm dhe papritur. Ata shkëmbyen një shikim të ëmbël, që foli më shumë se çdo fjalë. U përshëndetën dhe u ndanë pa thënë asgjë më tepër, sepse shpirtrat e tyre kishin folur tashmë.

I hutuar nga ky takim i papritur, djaloshi u kthye te puna për të siguruar bukën e përditshme. U kthye, por zemra e tij mbeti pas, e lidhur përgjithmonë me zemrën e bijës së Hënës dhe të Diellit. Çfarë nuk ndodh në këtë jetë? tha me vete. Me sa duket, ajo që më ndodhi mua është ta shohësh me sy e të plasësh me zemër.

Kur djaloshi u kthye në shtëpi, nëna e moshuar e kuptoi se diçka kishte ndodhur me të birin. Nënat dinë të lexojnë shpirtrat edhe atje ku të tjerët e kanë të pamundur të depërtojnë. Ajo e pyeti me butësi dhe, pas hezitimit, djaloshi i rrëfeu se ishte magjepsur nga bukuria e bijës së Hënës dhe të Diellit dhe kishte rënë në dashuri me të. Nëna uli sytë dhe i tha me dhimbje:

  • Ne jemi të varfër, bir; mezi sigurojmë bukën e gojës, ndërsa ajo është qenie hyjnore.

Pastaj shtoi ngadalë:

  • Si do ta mbash atë dashuri, kur sytë tanë janë gjithmonë nga mali për të mbijetuar?

Të gjithë njerëzit e atyre anëve jetonin nga gjuetia, por me kalimin e kohës gjëja e gjallë ishte pakësuar dhe varfëria ishte shtuar. Do të shkoj të gjuaj në malin përballë, atje ku kuçedra me shtatë koka nuk lë kënd të afrohet, tha djaloshi. Do të gjej forcën ta vras këtë përbindësh dhe pastaj gjuetia do të bëhet e begatë. Ndoshta trimëria ime do t’i shkojë në vesh edhe bijës së Hënës dhe të Diellit, e kështu do të fitoj zemrën e saj.

Nëna, u drodh dhe e kapi fort të birin për krahu. “Nuk dua të të humbas, bir! Ai mal është kthyer në varrezë për kushedi sa gjuetarë,” i tha ajo me zë të dridhur. Por djaloshi, që nuk ia kishte prishur kurrë nënës së vet, këtë herë nuk u bind dhe vendimi i tij u përhap në gjithë krahinën: disa e quajtën trim me guxim heroi, të tjerë të marrë që nuk kishte nxjerrë mësim nga historia.

`Vendimi i tij mbërriti edhe në veshët e bijës së Hënës dhe të Diellit. Një ditë ajo i doli papritur përpara djaloshit, e përshëndeti dhe i tha se e kishte mësuar vendimin e tij për të vrarë kuçedrën. Ajo e nxiti, duke i thënë se i vetmi mal ku duhej të shkonte për gjueti nuk ishte asnjë tjetër, veçse mali i kuçedrës.

I rënduar nga pesha e mëdyshjes mes porosisë së nënës dhe fjalëve të bijës së Hënës dhe të Diellit, djaloshi më në fund mori vendimin e tij. Ai do të shkonte për t’u përballur me kuçedrën e tmerrshme, së cilës deri atëherë askush nuk kishte guxuar t’i afrohej, e jo më ta prekte qoftë edhe me një fije floku.

Në agun e ditës tjetër u nis drejt malit të ndaluar. E kishte vendosur dhe tashmë nuk kishte më kthim pas: ose ai, ose kuçedra. Mori me vete harkun me shigjeta, jataganin dhe disa shtiza me maja metalike të mprehta.

U ngjit në mal dhe ja ku doli ballë për ballë me kuçedrën, e cila u tërbua nga guximi i tij, por edhe u gëzua, sepse e pa si një vakt të shijshëm. Kuçedra me luspa të forta dhe kthetra të tmerrshme doli nga shkëmbi dhe toka u drodh; nga goja e saj shpërthyen gjuhë flake.

Djaloshi nxori harkun dhe nisi të qëllonte me tërbim drejt trupit të saj, por shigjetat, sapo prekën luspat e forta, u shpërndanë djathtas e majtas pa lënë asnjë shenjë. Provoi edhe me shtiza, por ishte njësoj sikur ta godiste përbindëshin me fije bari. Çdo armë ishte e pafuqishme. Pas pak, djaloshi mbeti i çarmatosur, ballë për ballë me një përbindësh që rritej vit pas viti, ndërsa oreksi i tij bëhej gjithnjë e më i madh. Kuçedra, simbol i së keqes dhe i vdekjes, qëndronte e pathyeshme përpara tij.

Në atë çast, djaloshi kujtoi fjalët e nënës dhe e kuptoi se ajo kishte pasur të drejtë. Kuçedra e vështroi drejt e në sy, hunguroi thellë dhe i tha se kishte ardhur koha të mbaronin punë.

Ke të drejtë, u përgjigj djaloshi me qetësi. Ke fituar. Pastaj iu lut t’i jepte vetëm një mundësi të vetme: të shkonte edhe një herë për të takuar nënën dhe të kthehej sërish. Ju premtoj besën time, tha ai. I gjallë a i vdekur, do të kthehem drejt e në gojën tuaj.

Kuçedra pranoi dhe djaloshi u nis drejt shtëpisë. Rrugës i doli para si paritur bija e Hënës dhe e Diellit. Mos u trishto,” i tha ajo djaloshit. Do të shkojmë bashkë për t’u ndeshur me kuçedrën. Djaloshi mbeti i habitur dhe i tha se nuk mund ta sakrifikonte atë që e donte më shumë se çdo gjë tjetër. Por vasha e qiellit këmbënguli.

Të dy, hipur mbi kuaj, u nisën drejt folesë së tmerrshme. Kur kuçedra i pa, u gëzua edhe më shumë, sepse mendoi se fati i kishte sjellë dy viktima. Por bija e Hënës dhe e Diellit nuk humbi kohë: nguli vështrimin mbi të dhe një rreze e fuqishme drite, me forcën e rrufesë, e goditi përbindëshin.

-Kush je ti që ke këtë fuqi? ulëriu kuçedra.

-Jam bija e Hënës dhe e Diellit,” u përgjigj vajza. Ky është fundi yt. Ky mal nuk të përket më ty, por njerëzve që i ke bërë të vuajnë aq shumë.

Kuçedra u gurëzua dhe u thërrmua në mijëra copëza para syve të tyre. Në atë cast u duk se gjithësia mori frymë lirisht.

Vajza i zgjati dorën djaloshit, e përqafoi me dashuri dhe të dy u kthyen në shtëpinë e tij për ta çuar deri në fund dashurinë e tyre të madhe.

E kështu, njeriu që vepron me zemër të pastër dhe nuk i trembet sakrificës, gjen ndihmë edhe nga qielli. E keqja jeton per sa kohë e ushqen frika, ndërsa dashuria dhe drita e vërtetë e nxjerrin botën sërish në paqe.

Ps: Mbështetur në tregime të moçme shqiptare të Mitrush Kutelit

Written by: WindowRadio.de

Rate it