Listeners:
Top listeners:
play_arrow
Window Radio
Tregimtari francez Jean de la Fontaine e ka një fabul të errët, ku mbretërinë e pyllit e godet murtaja. Kafshët besojnë se murtaja është ndëshkim i Zotit. Ato mblidhen të rrëfejnë mëkatet e veta, kush e ka mëkatin më të rëndëtë flijohet aty në vend. Të parët që rrëfehen janë paria e pyllit, grabitqarët. Luani tregon se ka shqyer qingja të vegjël dhe dele të ngrata dhe, nganjëherë, “me atë hov, edhe çobanë”. Kafshët stepen nga këto krime. Por ndërhyn dhelpra, u bë nami për do dele koti. Atyre u bën nder kur u thyen eshtrat. Edhe çobanët, janë vetë fajtorë, se fryhen që ia ndalin turrin luanit. Rrëfimi i luanit, thotë dhelpra, është thjesht një “skrupull”, “shenjë zotnillëku”. Mbas kësaj, rrëfehen me rend edhe grabitqarët tjerë, tigri, ariu, ujku, dhe dhelpra i çfajëson të gjithë. Në fund i vjen radha gomarit. Ai i ngrati rrëfehet se një herë, kur po ngordhte urie, paskësh ngrënë dy fije bar në oborr të një manastiri. Ou, ia pret dhelpra, kapeni se ky na paska fikur! Aty e pat gomari i mjerë. La Fontaine e mbaron duke thënë, “se varet në je i dobët, a i fortë lubi/nëse gjyqi të quan të larë, a mëkatar të zi.”
Më kujtoheshin këto fjalë nga la Fontaine tek shikoja këtyre ditëve gjyqin linçues që i bëhej Shkëlzen Gashit, njërit ndër intelektualët më të formuar të brezit të ri të Kosovës. Po — për mua është e qartë si kristal, se ndaj tij është kryer një linçim publik. Kjo që në këtë linçim morën pjesë edhe organet e Republikës së Kosovës, prokuroria dhe policia, është kulmi i tmerrit. Është shokante a, se si policia dhe prokuroria, në vend se ta mbrojnë viktimën nga turmat urrejtëse, dalin si përmbarues të tyre. Organet që duhet të na mbronin nga kërcënimet e paligjshme, bëhen zbatues të tyre. Imagjino, të lutem: Shkëlzen Gashi ka sot ende status zyrtar si i pandehur për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit” – ndonëse ishte viktimë urrejtjes dhe mosdurimit, të cilave i frynin pikërisht linçuesit e tij. Midis tyre, me litar në dorë, prokurori i rastit dhe policia.
Ti mund të thuash ndoshta se Shkëlzen Gashi mund të ishte më i vëmendshëm. Ai e di veten se është në shënjestër të mafies, mund të kish zvogëluar hapësirën për keqinterpretime. Ta zëmë, mund të kish shpjeguar se pse ekspozita s’i ka të gjitha masakrat, por vetëm një numër prej tyre. Por unë s’besoj se kjo do të kish qetësuar turmën. Ndër ne, çdo debil kërkon që ta bindësh personalisht, e Shkëlzen Gashi s’ka aq ymër. Apo ndoshta po të kish saktësuar, aty tek ajo panoja për masakrën në burg të Dubravës, se viktimat aty gjatë masakrës kishin status të civilëve duarthatë, ndonëse disa sosh ishin kapur dikur me armë në dorë. Mirëpo, seriozisht, sa i kemi detyrim budallëkut? A kishte vërtet rrezik që dikush ta lexonte atë pano, e të kujtonte se Serbia i paska çuar në burg luftëtarët e lirisë të armatosur? Se ata në pavijone qenkan lejuar të mbajnë kallashë, gulinovë e bomba dore? Apo a mendon vërtet dikush se Shkëlzen Gashi, ndër pak intelektualë tanë që ka investuar me dekada punë shkencore për të mos i lënë të shkojnë gjakhumbës viktimat civile të luftës, pra se ky Shkëlzen Gashi tash disi paska dashur… çka? T’i fyejë ato viktima? E si, duke i quajtur luftëtarë? Ç’janë këto budalliqe more?
Për mua, është e qartë, si kristal, edhe një punë tjetër. Që ky linçim i Shkëlzen Gashit, mbase vërtet mund të ketë nisur në mënyrë oportuniste. Hajt bjeri një intelektuali të angazhuar e kritik, se ia gjetëm një vegëz. Mirëpo, në vazhdim, kjo fushatë linçimi duket qartë se është shtyrë edhe qëllimshëm; unë besoj, për të ushqyer mjegullën e krijuar mbi masakrat. Them mjegullën, se të dhënat që serviren sot për këto masakra janë kundërthënëse. Në to dallojnë lokacionet, dallojnë ecuritë e ngjarjeve, dallojnë emrat e viktimave, moshat, profesionet, etnia, statusi civil a luftarak i tyre. Madje dallojnë edhe numrat e viktimave! Dy plus dy s’bëjnë katër, jo në narracionet rreth masakrave të luftës. Pse kështu? Thjesht, sepse të dhënat na vijnë nga palë të ndryshme, nga shteti serb, nga burime OJQ-sh serbe, nga OJQ shqiptare, nga OJQ ndërkombëtare, secila syresh me agjenda të vetat politike, sociale, donatore etj. Të vetmit pa agjendë aty janë viktimat, e ato heshtin nën dhe. E ajo që duhej të ishte zëri i tyre, Republka e Kosovës, s’ka asnjë dokumentacion zyrtar. Ajo s’ka libër të bardhë. S’ka raport të një komisioni hetues. S’ka monografi. S’ka Vad Jashim të vetin: s’ka një muze për krime të luftës. Republka e Kosovës s’e ka as edhe një faqe përkujtimore në internet, ku familjarët t’i gjejnë emrat e viktimave të veta. Republika që lindi e jeton falë ndërhyrjes humanitare e ka fshehur gjithmonë mbas dere djepin e vet të përgjakur.
Sa për krahasim, Bosnja ka pasur dhjetëfish më shumë viktima se Kosova, është ende e ndarë etnikisht, e ka tutelë ndërkombëtare edhe sot e kësaj dite: por nxori një bilanc zyrtar të viktimave mbas 17 vjetsh paqe. Kroacia ka pasur 15 mijë viktima, më shumë pra se Kosova, dhe raportin zyrtar e kishte 4 vjet mbas luftës. Ne kemi 27 vjet paqe, e s’jemi askund gati as ta nisim një raport zyrtar. Do ta them troç, pa qime në gjuhë. Kjo që po e bën Republika e Kosovës për 27 vjet rresht me viktimat e luftës është një krim i dytë shtetëror ndaj tyre, mbas atij të parit që ua ka bërë Serbia. Është mëkati ynë i madh, që prek në qiell. Republika e Kosovës është shteti i vetëm në Gadishullin ilirik, por edhe në Europë, funksionarë të lartë të së cilës kanë propozuar që të zhvlerësohen ligjet ndërkombëtare dhe “të falin” (!) krimet kundër njerëzimit – të cilat me ligj ndërkombëtar nuk falen. Unë besoj se linçimi i Shkëlzen Gashi po përdoret qëllimshëm, shumë qëllimshëm, edhe për të na shmangur vëmendjen nga ky mëkat.
Te fabula e tregimtarit de la Fontaine, gomari i ngratë e ha kot për dy fije bar. Gabimi i tij fatal është se pëpiqet të bëjë diçka të mirë për mbretërinë e kafshëve: pse kujton vërtet se ështe i ftuar për të rrëfyer, e se mund të besohet në fair play të grabitqarëve. Ti mund të thuash, se dhe Shkëlzen Gashi po i bën të njëjtat gabime. Se Shkëlzen Gashi është gomar, që përpiqet të bëjë diçka mirë për këtë vend. Që kujton edhe ai se është i ftuar për të rrëfyer: që shkruan artikuj, boton libra, e organizon ekspozita, duke vjedhur kohë nga karriera e vet dhe nga familja e vet, për hir të të vrarëve e të të huarruarve të këtij vendi. Se ai është naiv që beson se ka diku një fair play në këtë mbretërinë tonë të grabitqarëve. Por unë dua të besoj ndryshe: se nëse Shkëlzen Gashi qenka gomar, ç’jemi atëhere unë e ti?
Written by: WindowMedia.de
Copyright Window Media Developed by Bledi Orhani