play_arrow
Window Radio WindowRadio.de
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, pritet të vizitojë të hënën Tiranën në kuadër të një misioni diplomatik që ka në fokus rifillimin e procesit për përcaktimin e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas raportimeve të gazetës greke, gjatë vizitës së tij Dendias do të zhvillojë takime me homologun shqiptar Ermal Nufi, si dhe me kryeministrin Edi Rama.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë çështja e Zonës Ekskluzive Ekonomike dhe shelfit kontinental mes dy vendeve, me Athinën që synon të “shkrijë” procesin e bllokuar prej vitesh dhe të rikthejë në tryezë marrëveshjen për dërgimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Gazeta greke shkruan se Athina dhe Tirana po përpiqen të rikthejnë frymën e marrëveshjes së vitit 2020, kur të dyja palët kishin rënë dakord në parim për ta zgjidhur mosmarrëveshjen përmes Hagës. Megjithatë, procesi u ndërpre pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila rrëzoi marrëveshjen e mëparshme për detin.
Sipas burimeve diplomatike greke, objektivi kryesor i Dendias është që negociatat teknike mes dy vendeve të rifillojnë sa më shpejt. Në takim pritet të diskutohen edhe çështje që lidhen me sigurinë rajonale, bashkëpunimin në mbrojtje dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.
Raportimi i “Ta Nea” thekson se presidenti shqiptar Bajram Begaj shihet pozitivisht nga pala greke për të dhënë dritën jeshile në vazhdimin e procesit teknik mes dy vendeve. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pala shqiptare vijon të shfaqë hezitime për shkak të mungesës së mbështetjes së plotë teknike dhe juridike në procesin që lidhet me Hagën.
Athina besohet se është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në kuadër të iniciativës greke për përshpejtimin e integrimit europian të rajonit. Kjo iniciativë lidhet edhe me objektivin e Greqisë për të luajtur një rol kyç gjatë presidencës së saj në Bashkimin Europian në vitin 2027.
Ndërkohë, në muajin qershor pritet të vizitojë Tiranën edhe ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, i cili do të marrë pjesë në një samit rajonal për sigurinë dhe mbështetjen ndaj Ukrainës. Në kuadër të kësaj vizite, ai pritet të zhvillojë takime me zyrtarë shqiptarë, por edhe me përfaqësues të vendeve të tjera të rajonit.
Written by: administratori
Copyright Window Media - Developed by Bledi Orhani