Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

Familjen shqiptare nuk e shkatërron parada LGBT. E shkatërron hipokrizia që fshihet pas derës së shtëpisë:

todayMay 29, 2026 25 1

Background
share close

Një pjesë e shqiptarëve u shqetësuan nga parada e komunitetit LGBT, sikur në rrugë të kishte dalë ndonjë ushtri që po shembte themelet e familjes shqiptare. Me fytyrë të ngrysur dhe me moral të marrë hua nga frika, nisën të përsërisnin të njëjtat fjali të vjetra: “po shkatërrohet familja tradicionale”, “po degjenerohet shoqëria”, “po prishet rinia”. Në fakt, këto fjali nuk janë as të reja, as origjinale. Të kujtojnë parullat e komunizmit: “Imperializmi degjeneron masat.” Dikur frikësoheshin nga perëndimi, sot frikësohen nga një flamur me ngjyra. Dikur armiku ishte “i jashtëm”, sot armiku shpallet çdo njeri që kërkon të jetojë pa u urryer. Por le ta themi qartë, pa zbukurime: askush nuk bëhet homoseksual sepse pa një paradë. Askush nuk ndryshon orientimin seksual nga një flamur, nga një marshim apo nga një pankartë. Komuniteti LGBT nuk del në rrugë për t’i kthyer njerëzit në diçka që nuk janë. Ata dalin për të kërkuar një të drejtë elementare: të pranohen në shoqëri ashtu siç janë.

Dhe pikërisht kjo e tremb një pjesë të madhe të shoqërisë sonë: liria e tjetrit.
Sepse ne jemi një shoqëri që paragjykojmë për gjithçka. Paragjykojmë për veshjen, për flokët, për zërin, për qytetin, për dialektin, për fenë, për varfërinë, për pasurinë, për mënyrën si ecën dikush në rrugë. Në këtë vend njeriu gjykohet edhe për ngjyrën e bluzës. Atëherë çfarë ndodh me dikë që nuk futet në kallëpin e moralit provincial? Hidhet mbi të gjithë mllefi i një shoqërie që ende nuk ka mësuar të jetojë me tjetrin.

Por familjen shqiptare nuk e shkatërrojnë flamujt me ngjyrat e ylberit.
Familjen shqiptare e shkatërrojnë tradhtitë që fshihen pas fotove të lumtura në rrjete sociale. E shkatërrojnë burrat që mbajnë lidhje paralele, por në publik flasin për moral. E shkatërrojnë gratë dhe burrat që jetojnë me gënjeshtra, por dalin si mbrojtës të “familjes së shenjtë”. E shkatërrojnë ata që nuk kanë guxim të ndahen, por kanë guxim të poshtërojnë njëri-tjetrin çdo ditë. E shkatërrojnë shtëpitë ku fëmijët rriten me britma, me frikë, me dhunë psikologjike dhe me heshtje të detyruar. Fëmijët nuk traumatizohen nga një paradë me ngjyra. Fëmijët traumatizohen nga babai që poshtëron nënën para syve të tyre. Nga nëna që nuk arrin dot t’i shpëtojë nga një ambient i sëmurë. Nga prindi i varur nga alkooli, bixhozi, nervat, kontrolli dhe dhuna. Nga familjet që në sy të botës duken “të rregullta”, por brenda janë burgje emocionale. Kjo është e vërteta që shumë njerëz nuk duan ta dëgjojnë.

Sepse është më e lehtë të sulmosh një paradë sesa të pranosh se familja jote është e kalbur nga brenda. Është më e lehtë të fajësosh lirinë e tjetrit sesa të shohësh hipokrizinë tënde në pasqyrë. Është më e lehtë të bësh moral për LGBT-në sesa të flasësh për dhunën në shtëpi, për tradhtinë, për martesat false, për fëmijët e traumatizuar dhe për jetët e palumtura që mbahen në këmbë vetëm nga frika e fjalëve të fisit. Shoqërinë nuk e degjeneron njeriu që kërkon të jetë vetvetja. Shoqërinë e degjeneron njeriu që gënjen veten çdo ditë dhe pastaj del të gjykojë të tjerët. Shoqërinë e degjeneron moralisti që në publik flet për familje, ndërsa në privat nuk di çfarë është respekti. Shoqërinë e degjeneron ai që shqetësohet nga një flamur me ngjyra, por nuk shqetësohet nga dhuna ndaj grave. Shoqërinë e degjeneron ai që trembet nga një paradë, por nuk trembet nga fëmijët që rriten në shtëpi pa dashuri, pa siguri dhe pa paqe.

Kush e quan paradën LGBT kërcënim për familjen, duhet të ketë guximin të pyesë veten: çfarë familjeje po mbron? Atë familje ku njerëzit tradhtojnë, gënjejnë, durojnë, poshtërojnë dhe shtiren? Atë familje ku gjithçka bëhet për fasadë, vetëm që komshiu të mos flasë? Atë familje ku lumturia është dekor, ndërsa dhimbja fshihet pas perdes? Jo. Kjo nuk është familje e shëndetshme. Kjo është teatër social. Familja nuk mbrohet duke urryer dikë tjetër. Familja mbrohet me dashuri, besnikëri, përgjegjësi, respekt dhe ndershmëri. Familja mbrohet duke mos dhunuar, duke mos poshtëruar, duke mos gënjyer dhe duke mos i rritur fëmijët në frikë. Prandaj, para se të drejtoni gishtin nga parada LGBT, drejtojeni njëherë nga vetja. Shihni shtëpitë tuaja. Shihni martesat tuaja. Shihni fëmijët tuaj. Shihni sa dashuri ka aty dhe sa hipokrizi. Sepse problemi i kësaj shoqërie nuk është se disa njerëz dalin në rrugë për të kërkuar pranim.

Problemi është se shumë njerëz jetojnë në gënjeshtër dhe e quajnë atë “traditë”.
Problemi nuk është ylberi në rrugë. Problemi është errësira brenda shtëpive ku njerëzit shtiren sikur janë të lumtur.

Written by: administratori

Rate it