Listeners:
Top listeners:
play_arrow
Window Radio
Kompania ajrore australiane Qantas ka realizuar atë që besohet të jetë fluturimi më i gjatë komercial i kryer ndonjëherë, pasi një avion Airbus A350-1000ULR qëndroi në ajër plot 24 orë e 24 minuta pa u ndalur.
Avioni u nis nga Melbourne dhe përfundoi udhëtimin në Toulouse të Francës, duke përshkuar rreth 23.075 kilometra mbi Oqeanin Paqësor dhe atë Atlantik.
Fluturimi është pjesë e projektit “Sunrise”, përmes të cilit Qantas synon të nisë fluturime direkte nga Australia drejt Londrës dhe Nju Jorkut me avionët e rinj Airbus A350-1000ULR. Modeli i përshtatur pritet të hyjë në shërbim në vitin 2027.
Sipas Airbus, avioni është pajisur me një rezervuar shtesë karburanti, gjë që i mundëson të qëndrojë në ajër për periudha shumë të gjata pa pasur nevojë për ulje, shkruan The Guardian, përcjell Sinjali.
Me këtë fluturim është thyer rekordi i mëparshëm prej 22 orësh e 42 minutash, i vendosur në vitin 2005 nga një Boeing 777-200LR, që fluturoi nga Hong Kongu në Londër përmes Oqeanit Paqësor.
Interesimi për fluturimin ishte i jashtëzakonshëm edhe në internet. Platforma Flightradar24 bëri të ditur se mbi 3.6 milionë persona ndoqën në kohë reale rrugëtimin e avionit, duke e bërë atë fluturimin e dytë më të ndjekur në historinë e platformës, pas atij që transportonte arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022.
Qantas ka porositur gjithsej 12 avionë Airbus A350-1000ULR, të cilët do të përdoren për fluturime direkte mes bregut lindor të Australisë dhe Londrës ose Nju Jorkut, me kohëzgjatje prej rreth 19 deri në 21 orë. Avioni i parë pritet t’i dorëzohet kompanisë në prill të vitit 2027, ndërsa fluturimet e përditshme pa ndalesë mes Sidneit dhe Londrës synojnë të nisin në tetor të po atij viti.
Written by: WindowMedia.de
Copyright Window Media Developed by Bledi Orhani