Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Aktualitet

A ka reciprocitet mes 54 serbëve dhe 61.000 shqiptarëve!

todayJuly 30, 2026 5

Background
share close

Sipas raportimeve të mediave, Qeveria shqiptare po i hap rrugë krijimit të një konsullate serbe në Shkodër. Arsyet e këtij veprimi mbeten të paqarta, por nga sa është bërë publike, duket se qeveria socialiste ka pranuar një konsullatë serbe në Shkodër në këmbim të gatishmërisë së Beogradit për të lejuar një konsullatë shqiptare në Bujanoc.

Por këtu “dardha e ka bishtin prapa”, sepse shifrat tregojnë se nuk mund të flitet për reciprocitet demografik.

Censi i vitit 2023 regjistron në qarkun e Shkodrës vetëm 54 banorë të deklaruar me përkatësi etnike serbe, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë 584.

Ndërkohë, regjistrimi zyrtar i vitit 2022 në Serbi numëron 61,687 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pra, kemi një komunitet mbi 105 herë më të madh se numri i përgjithshëm i serbëve në Shqipëri dhe mbi 1,140 herë më të madh se komuniteti serb në qarkun e Shkodrës.

Prandaj, nuk mund të vendoset shenjë barazimi ndërmjet gatishmërisë së Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës shqiptare për një konsullatë në Bujanoc dhe hapjes së një konsullate serbe në Shkodër. Gatishmëria nuk është konsullatë e hapur dhe funksionale.

Për më tepër, qeveria shqiptare nuk ka bërë publik ndonjë vlerësim që të dokumentojë një nevojë konkrete për shërbime të reja konsullore serbe në Shkodër. Përkundrazi, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të ngrenë shqetësime për pasivizimin e adresave, përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet shtetërore dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Reciprociteti nuk shpallet me deklarata. Ai provohet me të drejta të barabarta dhe masa konkrete.

Ky zhvillim bëhet edhe më shqetësues pas deklaratës së papranueshme të ministres serbe Snežana Paunović, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Një qeveri që pretendon të ecë drejt Evropës nuk mund ta normalizojë një gjuhë të tillë. Një qeveri shqiptare që pretendon se kujdeset për shqiptarët nuk mund t’i hapë krahun pa kushte një qeverie, një anëtare e së cilës e trajton spastrimin etnik të shqiptarëve si një alternativë politike.

Shqipëria duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi me fqinjët, por ura të mbështetura mbi transparencë, barazi, respekt për viktimat dhe reciprocitet real dhe jo mbi simbolika të mjegullta, pazare të vogla apo qoka personale.

Fatkeqësisht, gjatë këtyre viteve, mungesa e transparencës kka faktuar shndrrimin e konsullatave si pjesë e oborrit personal të Kryeministrit: vende për emërime, interesa biznesi dhe lobime personale, duke anashkaluar nevojat kombëtare dhe, në raste të caktuara, edhe vetë interesin kombëtar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet të bëjë publik vendimin, bazën ligjore, llojin e konsullatës, kandidaturën për konsull dhe interesin konkret shtetëror që justifikon hapjen e saj në Shkodër.

Diplomacia shqiptare nuk është oborri personal i Kryeministrit. Ajo duhet t’i shërbejë interesit kombëtar dhe qytetarëve shqiptarë.

Shkruan Jorida Tabaku:

Written by: WindowMedia.de

Rate it