Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Kronikë

Do përfundojmë keq shpirt!

todaySeptember 23, 2026 30

Background
share close

Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe biznesmeni kontravers Ergys Agasi, rezulton se kanë pasur komunikime të vazhdueshme edhe përtej punës dhe diç rezulton nga mesazhet e zbardhura, përmbajtja e tyre konfirmon këtë fakt.

“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, ishte një nga mesazhet që Vlora Hyseni i shkruante Ergys Agasit. Gjatë kësaj kohe, mendohet se biznesmeni ka qenë në kërkim.

Mes ish-drejtueses tashmë të shkarkuar të SHISH dhe Ergys Agasit, ka pasur komunikim deri pak para arrestimit të biznesmenit në zonën e Plepave në Durrës. “Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha”, i ka shkruar Vlora Hyseni biznesmenit.

Gjithashtu, bëhet me dije se SPAK ka gjetur në makinën e Ergys Agasit, 9 faqe me diagrame (dokumente sekrete) të SHISH, gjatë kontrolleve që u ushtruan në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Biznesmeni mësohet se në seancë e ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente SPAK aty.

Ndryshe nga pretendimet e Vlora Hysenit se komunikimet me Ergys Agasin kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit, SPAK thotë se komunikimi i tyre ishte i përditshëm, i tejzgjatur në kohë, telefonata me videocall dhe dërgim fotosh e videosh.

Nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur u arrestua Agasi, ka pasur më shumë se 100 telefonata mes tyre dhe qindra mesazhe, për të cilat Prokuroria e Posaçme thotë se nuk kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit.

“Në këtë pikë duhet të theksohet se komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me personin nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik, i përditshëm, dhe i tejzgjatur në kohë, bisedë duke përfshirë jo vetëm telefonata të thjeshta, voice call, por edhe telefonata me video, video call, dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i shtetases Hyseni. Në total, për periudhën 28.06.2026 deri më 26.08.2026, data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi, nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar në total thirrje voice and video call: thirrje hyrëse Vlora-Ergys, incoming call, 70 thirrje; thirrje dalëse Ergys-Vlora, outgoing call, 17; të humbura, missed call, 28; thirrje pa përgjigje, unansëered calls, Ergys nuk i përgjigjet Vlorës, 25; thirrje dhe thirrje të refuzuara, declined calls.

Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar.

Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.

Nga përmbajtja e komunikimeve mes tyre rezulton ekzistenca e një lidhjeje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur shtetasi Ergys Agasi ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia. Në disa prej komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Ergys Agasit kundrejt organeve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht, duke përdorur shprehje si:

“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë.”; “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot.”

“Të gjithë ne.”

“Do përfundojmë keq, shpirt.”

Këto komunikime, të vlerësuara në tërësinë dhe në kronologjinë e tyre, tregojnë jo thjesht një lidhje personale, por identifikimin e shtetases Vlora Hyseni me qëndrimin dhe interesat e personit nën hetim ndaj procedimit penal që zhvillohej kundër tij, si dhe gatishmërinë e saj për t’i qëndruar pranë e për ta ndihmuar gjatë kohës që ai ishte në kërkim, duke vënë kështu në dispozicion cilësinë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejton. Në këtë linjë veprimi ajo shpreh jo vetëm solidaritet, por edhe gatishmërinë për ta ndihmuar. Në një bisedë mes tyre, para arrestimit së shtetasit Ergys Agasi, ajo i shkruan këtë mesazh: “Zemër thjesht duhet te koncentrohemi te halli jot… Të gjithë ne”.

Shtetasja Vlora Hyseni nga numri +38349674303 i dërgon mesazhin “Cfare na bene o Zor”. Po kështu në vijim të komunikimeve, në shkelje të rëndë të detyrës, Vlora Hyseni, tregon se do të takohet me Kryeministrin dhe sa kohë do rrijnë tek ai “Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”. Më datë 24.08.2026 “Neser duhet ta takoj km ne 830”. Në mesazhet vijuese shtetasja Vlora Hyseni, i jep informacion edhe për itinerarin, natyrën e takimit dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët do takohet; “Me doli nje takim urgent… Me sauditet… Kthehem neser ne ks prape”. Përpjekjet e drejtueses së SHISH Vlora Hyseni për të ndihmuar personin nën hetim Ergys Agasi edhe në instanca të tjera pasqyrohen edhe në mesazhin e datës 19.08.2026 ku e informon se; “Skenderi me thirri me u taku te henen …(Skender Hita Drejtori i Përgjithshëm i Policisë)… Te shpresoj qe ka porosit km….”

Solidarizimi me personin në kërkim Ergys Agasi pasqyrohet edhe në mesazhet e datës 22.08.2026 ku Vlora Hyseni i shkruan; “Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim… Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi….”

Në vijim të komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni ndan dhe informacion paraprak duke i shkruar personit nën hetim Ergys Agasi; “Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku” (nënkuptohet deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku)”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

Written by: WindowMedia.de

Rate it