Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

IRIS LUARASI NË MBËSHTETJE TË EGLA CENOS: “KËRCËNIMI ME PËRDHUNIM NUK ËSHTË DEBAT, ËSHTË VEPËR.

todaySeptember 23, 2026 12

Background
share close

Pedagogia dhe aktivistja Iris Luarasi ka reaguar publikisht në mbështetje të aktores Egla Ceno, pas kërcënimeve dhe mesazheve të rënda që kjo e fundit ka denoncuar se ka marrë.

Në reagimin e saj, Luarasi e zhvendos çështjen përtej përplasjeve politike apo dallimeve të mendimit, duke e vendosur theksin te dhuna verbale, kërcënimet ndaj grave dhe rreziku që krijohet kur një gjuhë e tillë relativizohet ose trajtohet si pjesë normale e debatit publik.

Luarasi rrëfen se edhe vetë, pas ngjarjeve të fundit, ka marrë kërcënime të rënda, përfshirë kërcënime me përdhunim, vrasje, varje dhe pushkatim. Pikërisht nga kjo përvojë personale, ajo shpreh solidaritet me Egla Cenon dhe kërkon që kërcënimet të mos justifikohen me bindjet politike, protestën apo ekspozimin publik të një gruaje.

Mesazhi i saj është i prerë: kundërshtimi politik mund të jetë i fortë, por dinjiteti dhe siguria e një personi nuk mund të varen nga krahu politik ku ai qëndron. Luarasi vlerëson vendimin për denoncimin e kërcënimeve dhe kërkon reagim të shpejtë të institucioneve.

Më poshtë, reagimi i plotë i Iris Luarasit:

Egla Ceno të lexova dhe më dhemb. Sepse i njoh fjalët që të kanë shkruar një për një. Pas ngjarjeve të fundit kam marrë kërcënime me përdhunim, me vrasje, varje, me pushkatim. E njoh mirë atë natë kur nuk fle, kur hap telefonin dhe zemra të rreh më shpejt sepse nuk e di çfarë do të lexosh për vete dhe për fëmijët e tu.
Sot jam me ty e ti nuk je vetëm. Ajo që të ka ndodhur ty nuk është gjuhë urrejtjeje që ka verbuar sytë e njerëzve. Duket urrejtja e paska këtë veti që ta merr aftësinë për të shikuar një qenie njerëzore përballë. E kthen gruan në objekt, kundërshtarin në armik, dhe kërcënimin me përdhunim në një “mënyrë të thuash një mendim”. Ky është pikërisht momenti kur një shoqëri humbet, kur pranon që trupi i një gruaje të bëhet terren për t’i shfryrë politikën.
Këtë gjuhë nuk duhet ta pranojmë dhe, mbi të gjitha, nuk duhet ta relativizojmë. Çdo shprehje e tipit “e kërkoi vetë”, “ç’pret kur del në protestë”, apo “ishte shaka” është përpjekje për të relativizuar dhunën. Çdo shpjegim i tillë është një hap tjetër drejt normalizimit, dhe pas normalizimit vjen dhuna reale. Kërcënimi me përdhunim nuk është debat, nuk është mendim i lirë, është vepër. Pas dënimit të tij nuk vendoset kurrë një “por”. Të kërkojnë të ndjesh frikë, dhe në vend të kësaj ti zgjodhe të denoncosh. Kjo është forcë e vërtetë. Duhet kurajo të zgjedhësh ligjin në vend të heshtjes, sepse heshtja është pikërisht ajo që kërkojnë kërcënuesit. Denoncimi yt nuk të mbron vetëm ty, mbron çdo vajzë që lexon këtë histori dhe mëson se ka rrugë. Tani institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, shpejt dhe pa asnjë tolerancë.
Mund të mos i shohim njësoj gjërat në politikë, dhe s’ka pse t’i shohim, sepse unë mendoj që dinjiteti i një gruaje nuk pyet për anën ku qëndron. Ajo që nuk pranojmë të ndodhë ndaj teje, nuk duhet t’i ndodhë më askujt.
Jam me ty.

Written by: WindowMedia.de

Rate it

Similar posts