Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Ekonomi

Pacolli shpërthen ndaj qeverisë: Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit ndërkombëtar, paralajmërohen pasoja miliona euro!

todayAugust 5, 2026 4

Background
share close

Një nga projektet më të mëdha strategjike të viteve të fundit në Shqipëri, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, rrezikon të përfundojë në një përballje të ashpër ligjore në arbitrazh ndërkombëtar. Biznesmeni dhe investitori i njohur Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht pas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës së koncesionit me kompaninë MABCO Constructions SA.

Përmes një deklarate të gjatë, Pacolli e cilëson këtë vendim si një goditje të rëndë ndaj investimit më të madh të realizuar ndonjëherë në formën e partneritetit publik-privat në Shqipëri, duke ngritur akuza të forta për shkelje të kontratës, cenim të shtetit të së drejtës dhe pengim të vazhdueshëm të projektit nga institucionet shqiptare. Sipas tij, për më shumë se një vit kompania ka zgjedhur rrugën e dialogut dhe të zgjidhjes institucionale, me synimin për të shmangur një konflikt ndërkombëtar, por të gjitha përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme.

Pacolli pretendon se gjatë kësaj periudhe investitori është përballur me një sërë pengesash ligjore dhe administrative, duke përfshirë tentativa për tjetërsimin e kuotave të kompanisë, vendime kontradiktore gjyqësore, përjashtimin nga administrimi i investimit, si edhe bllokimin fizik të aksesit në kantier. Ai thekson se këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e projektit dhe se tashmë po përdoren si argument për ndërprerjen e kontratës.

Në reagimin e tij, biznesmeni paralajmëron se arbitrazhi ndërkombëtar tashmë është bërë i pashmangshëm dhe se MABCO do të mbrojë të drejtat e saj duke paraqitur të gjithë dokumentacionin dhe provat që, sipas tij, dëshmojnë përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për situatën e krijuar. Pacolli shprehet se nuk ka dëshiruar kurrë që pasojat financiare të bien mbi taksapaguesit shqiptarë, por nënvizon se kompania nuk ka më alternativë tjetër përveç ndjekjes së të gjitha rrugëve ligjore të parashikuara nga kontrata dhe e drejta ndërkombëtare.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Behgjet Pacollit:

Arbitrazhi per Aeroportin e Vlores

Miq të dashur!

Sot MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në thelb, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri.

Fatkeqësisht, kjo nuk është më një surprizë. Shumë njerëz e kishin kuptuar që në gusht të vitit 2025 drejtimin që po merrte kjo çështje. Unë, megjithatë, i udhëhequr nga besimi, shpresa dhe respekti për Shqipërinë, refuzova ta besoja se institucionet shtetërore do të lejonin degradimin e shtetit të së drejtës deri në këtë pikë. Për më shumë se një vit, zgjodhëm dialogun dhe rrugën institucionale, duke bërë çdo përpjekje për të shmangur një konflikt ndërkombëtar.

Gjatë kësaj kohe u përballëm me ngjarje që në një shtet ligjor nuk do të duhej të ndodhnin kurrë: tentativa për tjetërsimin e kuotave të investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin e paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit dhe, në fund, bllokimin fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit, ndërsa institucionet shtetërore jo vetëm që nuk ndërhynë për të rivendosur ligjshmërinë, por në praktikë toleruan vazhdimin e kësaj situate.

Pikërisht në kohën kur projekti kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe ndodhej vetëm pak para certifikimit, investitori u pengua të përmbushte detyrimet e tij kontraktore. Sot, paradoksalisht, po përdoren si argument kundër MABCO-s pikërisht pasojat e pengesave që u krijuan ose u toleruan nga vetë institucionet shtetërore.

Ky veprim bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Shqipërisë për Mbrojtjen e Investimeve, si dhe me një nga parimet më themelore të së drejtës: askush nuk mund të krijojë vetë pengesën dhe më pas të përfitojë juridikisht prej saj.

Edhe shkresa e Ministrisë, për fat të keq, përmban pretendime që nuk përputhen me faktet, me dokumentacionin dhe me realitetin e projektit. Ajo mbështetet në konkluzione që, sipas vlerësimit tonë, nuk kanë bazë faktike dhe juridike.

Dua të kujtoj edhe një fakt me rëndësi thelbësore. Që nga gushti i vitit 2025 kemi kërkuar zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të autorizojë një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për çdo euro të investuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pavarësisht se nga kush është investuar. Kjo kërkesë është refuzuar ose injoruar vazhdimisht.

Po kështu, kallëzimet penale të paraqitura nga MABCO për veprime të dyshuara të kundërligjshme nuk kanë marrë KURR një trajtim nga organet kompetente. Kjo situatë ka cenuar rëndë sigurinë, sigurinë juridike dhe besimin në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Mënyra se si kanë vepruar dhe, mbi të gjitha, kanë mosvepruar organet shqiptare të hetimit, në dritën e asaj që ka ndodhur në raste të ngjashme, ngre shqetësime serioze se proceset mund të ndikohen në mënyrë të papërshtatshme. Një situatë e tillë rrezikon jo vetëm sigurinë juridike, por edhe integritetin, imazhin dhe reputacionin tim personal, të familjes sime dhe të kompanisë që kam ndërtuar me përkushtim dhe punë të ndershme përgjatë dekadave.
Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve. Megjithatë, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare.

Në arbitrazhin që po bëhet i pashmangshëm, MABCO do të paraqesë të gjitha faktet, provat dhe dokumentacionin që disponon. Nuk kam dyshim se ky proces do të nxjerrë në dritë të vërtetën.

Ky nuk është një konflikt që MABCO e ka kërkuar.

Është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të atyre institucioneve që kishin detyrimin ligjor të mbronin shtetin e së drejtës, kontratën dhe investimin.

Written by: WindowMedia.de

Rate it