Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Botë

Si po ndryshon Evropa: Dhe a po ndryshon ajo?

todaySeptember 7, 2026 3

Background
share close

Fitorja e Alternativës për Gjermaninë (AFD), në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt është pritur me frikë, shqetësim, madje në mediat liberale apo të majta me një farë çudie.
Për hir të së vërtetës, prej vitesh partitë populiste, ato pothuaj fashiste e naziste janë rritur shumë kudo, në Perëndim. Kjo flet për një krizë të thellë të ideologjike të partive të majta, liberale e deri diku të qendrës së djathtë. Por, kryesisht e majta liberale po shfaq një largim të plotë nga themelet e saj ideologjike. “Arabizimi” i laburistëve në Britaninë e Madhe ka sjellë një forcim të karagjozëve politikë si Farange. E njëjta dukuri po ndodh në Itali me Vannacci-n, Në Francë me partinë e Le Pen, me AFD-në në Gjermani e padyshim me krizën e thellë të përfaqësimit të demokratëve amerikanë. Pothuaj, gjithandej nuk flitet më për ideologjinë e së majtës, këndvështrimin e saj si ndërtohet shteti social, si shpërndahen të ardhurat, si mbrohen të varfërit, si zhvillohet ekonomia.
E majta liberale shpenzoi vite të tëra me një farë agresioni mediatik e propagandistik me koncepte si “woke” apo “cancel culture”. Mjafton të sjellim në vëmendje fushatën e Kamala Harris, e cila i ngjante gomarit që uronte të ishte në ëndërr, teksa e kishte ujkun në shpinë. Harris dhe gjithë të singjashmit e saj qenë shumë më të interesuar për politikat e pranimit “gender”, teksa amerikani i thjeshtë kërkonte më shumë siguri (si përherë emigrantët janë “rreziku”), ekonomi më të fortë, taksa më të ulëta dhe padyshim më pak agresion propagandistik në mirërritjen e fëmijëve. E majta ka kohë që nuk flet për ekonominë, për pasojë po ngjiten në pushtet ata që deri dje ishin periferia e periferisë së politikës.
AFD sot u flet me gjuhë shterruese qytetarëve të frikësuar gjermanë. U flet kundër emigrantëve, besimit të tyre fetar, rezistencës së tyre për t’u përshtatur me ligjet Perëndimore, krizën e ekonomike, e cila shihet kryesisht me ndërprerjen e marrëdhënieve me Rusinë. AFD revokon periudhën, kur gazi rus ishte shumë i lirë, ekonomia gjermane qe në lulëzim, kurse industria e makinave nuk i qe dhuruar ende Kinës, falë politikave green të Bashkimit Europian. AFD premton ta rikthejë kohën mbrapsht, të përzërë emigrantët, ta nxjerrë Gjermaninë nga Shengen, të rilidhet me Rusinë, madje të tërheqë njohjen e Kosovës dhe të kërkojë ndjesë për bombardimet e NATO-s në Serbi.
Një gjerman i mesëm që ka hallin e familjes së tij, kredisë që paguan, rritjes së inflacionit e çmimeve, paraqitjes së “gogolit” mysliman bën zgjedhjen e shkurtër. Gjen “shpëtimin” tek AFD. Një qytetar i thjeshtë evropian, fjala vjen elektriçist, nuk është se e vret mendjen shumë qysh po shkojnë punët e gjeopolitikës, paqes në botë apo ekuilibrave strategjikë të Ukrainës. Ai ka hall se është shtrenjtuar birra e me siguri për këtë e ka fajin ajo gruaja e mbuluar që jeton në një ndërtesë me të, por me asistencë nga shteti. Njësoj mendon një francez, një italian, një amerikan i thjeshtë e me siguri pas ca vitesh shqiptari që i sheh rrugët të mbushura me të huaj që punojnë në ndërtim apo që shpërndajnë pizza me motorë.
E majta prapë po reagon keq e mos më keq. Hoqi dorë nga woke, por e gjeti “komardaren” që ka e mbajt mbi ujë në strehën e Orientit. Propozon me shumicë kandidatë që vijnë nga kjo botë, e ka ndarë Lindjen e Mesme me thikë, ku Izraeli është armik, Gaza martire, por ka harruar të thotë një gjysëm fjale për punëtorinë, fjala vjen të industrisë së makinave, nga e cila po largohen me mijëra nga puna si ndodhi javën e shkuar me Wolkswagen. Kjo punëtori është e bindur se të huajt i kanë vjedhur punën, pra bukën e gojës, ndaj kërkon “shpëtim” tek e fashistët që flasin thjeshtë, madje në mënyrë shterruese.
Qeveritë që vijnë nga forcat politike tradicionale janë të korruptuara ose apatike. Kjo po shfrytëzohet më së miri nga njerëz, politikanë e forca të reja politike, të cilët po sjellin përherë e më shumë kohët e viteve ’30, ku me zgjedhje fitonin fashistët e nazistët. Pjesa tjetër e historisë dihet se çfarë pruri.
Në botën e sotme kanë humbur vlerat e forcave politike social demokrate, socialiste, të qendrës, qendrës së djathtë, konservatore. Sot, nuk ka më përballje politike, pasi nuk ka programe, nuk ka ideologji. Ka një krizë mungese idesh, platformash, por një pasuri e pamatë të komploteve, tokës së sheshtë, lëvizjeve që premtojnë spastrime, të cilat kanë përballë parti që duan të zhvishen nga vlerat e simbolet kombëtare, në mënyrë që të fitojnë votat e emigrantëve që përfaqësojnë një qytetërim krejt tjetër.
Prandaj, fitorja e Alternativës për Gjermaninë (AFD), në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt nuk është e papritur, është “normalitet” i kohës sonë që ka për t’u përkthyer ngjashëm edhe në vende të tjera. Të lusim Zotin që mos të rikthehemi në kohët e ligjeve raciale, megjithëse mësimet e historisë janë të pamëshirshme.

Shkruan Kel Demi:

Written by: WindowMedia.de

Rate it