Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

PROVO SE JE GJALLË…

todaySeptember 10, 2026 3

Background
share close

  • Ironia e një republike që i kërkon pensionistit të dëshmojë se nuk ka vdekur-

Ditët e fundit mora vesh një fakt të çuditshëm, tipik “Made in Babziland”. Pensionistët shqiptarë duhet të paraqiten dy herë në vit para nje sporteli oruellian për të dëshmuar se janë ende gjallë, ndryshe nuk do tu paguhet pensioni. Është një ide administrative aq e errët saqë të vjen keq që nuk e ka shpikur vetë Franc Kafka. Do t’i kishte kushtuar me siguri një roman të tërë.
Ndoshta edhe Frojdi do të ishte marrë gjatë me të, pasi këtu kemi të bëjmë me një ankth të pastër institucional. Frikën e shtetit se mos një pensionist, pasi ka vdekur, zgjohet ne daten fikse, del nga varri dhe nxiton per te marre pensionin. Një ankth që për të gjetur qetësinë, i kërkon të gjallit të provojë se është gjallë.
Kështu lind një nga paradokset më të medha të administratës sonë. Pensionisti në fund të jetës se tij, duhet të bëhet dëshmitar i ekzistencës së vet.
Si per ironi kjo ndodh në një kohë kur shteti shqiptar nuk jeton më në epokën e regjistrave të mëdhenj prej letre dhe dosjeve të lidhura me spango. Kemi institucione për këto punë si Gjendjen Civile apo Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Në vend nuk mungojnë sistemet elektronike. Kemi e-Albania, databaza te ndryshmen dhe komunikime ndërinstitucionale. Mbi te gjitha kemi Djellën. Pra aq shumë teknologji, saqë ndonjëherë qytetari dyshon se shteti di edhe kur ai ka pirë kafenë. Por kur vjen puna te pensionisti, gjithë kjo mrekulli teknologjike duket se bie në gjumë. Atëherë plaku duhet të ngrihet nga karrigia, të marrë dokumentin, të vishet mirë, të dalë nga shtëpia dhe të shkojë të dëshmojë se është ende në këtë botë. Një lloj kontrolli periodik biologjik të cilit do t’ia kishte zili edhe vete Xhorxh Oruell.
Njeriu që po shkon të provojë se është gjallë është pikërisht ai që ka më shumë arsye të mos sorollatet nëpër zyra. Ka kaluar një jetë te tere duke punuar, paguar kontribute dhe rritur fëmijë. Madje dekada te tëra i ka kaluar duke i dhënë shtetit atë që kishte me te çmuar, kohën dhe shëndetin. Por tani në pleqëri, shteti i kërkon serish edhe një shërbim të fundit. Të provojë se ende merr frymë. Në këtë pikë, absurdi merr një formë pothuajse filozofike. Njeriu ka kaluar gjithë jetën duke kërkuar të ndërtojë një identitet përpara shtetit dhe, kur arrin moshën e pensionit, duhet të paraqitet periodikisht për të vërtetuar ekzistencën fizike të atij identiteti. Problemi ne fjale nuk është thjesht vetëm komik por edhe etik, sepse mënyra se si një shoqëri i trajton të moshuarit tregon shumë më tepër për karakterin e saj, sesa vete fjalimet që mban për modernizimin, dixhitalizimin dhe Evropën.
Një shoqëri që e sheh pensionistin si një mashtrues potencial, derisa ai të provojë të kundërtën, ka humbur diçka shumë më të rëndësishme se një procedurë administrative. Ka humbur besimin te njeriu. Shteti shqiptar nuk mund ta ndërtojë politiken administrative mbi dyshimin ndaj qytetarit më të dobët. Nëse institucionet kanë informacionet përkatëse nëse një person jeton ende apo ka vdekur, pse duhet që një shtatëdhjetë apo tetëdhjetëvjeçar të poshtërohet duke i deklaruar një nëpunësi në sportel se eshtë ende gjalle? Kjo është pyetja që e nxjerr gjithë historinë nga humori dhe e fut në absurd. Sepse ne jetojmë në një kohë kur shteti mund të të gjejë për një gjobë edhe kur nuk e ke parë kurrë makinën e policisë. Mund të të dërgojë njoftim për një detyrim që e kishe harruar. Mund të të kujtojë kurdo një taksë, një afat qe po skadon apo nje detyrim tjeter të kësaj natyre. Pra shteti di shumë mirë të të gjejë kur i detyrohesh diçka. Por kur është radha e tij të dijë diçka për ty, papritur qytetari duhet të shkojë vetë. Kjo është një nga ato paradokset shqiptare që mund të na bëjnë krenarë për talentin tonë të jashtëzakonshëm për të shpikur absurditete. Eshtë koha për ti dhënë fund kësaj praktike, për pak lekë më shumë, “for one dollar more”, per pak më shumë dinjitet.

Shkruan Marash Mirashi:

Written by: WindowMedia.de

Rate it