Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

“ALBERT MALAJ THIRRJE PËR REZISTENCË: Po na fshijnë Memaliajn nga harta, ngrihemi të mbrojmë qytetin!”

todayJuly 31, 2026 4

Background
share close

Albert Malaj, kryebashkiaku i Memaliajt, ka dalë me një reagim të fortë publik kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë së Memaliajt në kuadër të hartës së re administrativo-territoriale, duke e cilësuar atë si një vendim të padrejtë që godet rëndë qytetin dhe 53 fshatrat që bëjnë pjesë në këtë njësi vendore. Përmes një mesazhi drejtuar banorëve, Malaj shprehet se zëri i komunitetit është injoruar, pavarësisht argumenteve të paraqitura në dëgjesat zyrtare dhe në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa paralajmëron se një vendim i tillë nuk sjell zhvillim, por rrezikon të fshijë identitetin, historinë dhe përfaqësimin institucional të Memaliajt.

Kryebashkiaku thekson se gjatë gjithë procesit ka mbrojtur me argumente ekzistencën e Bashkisë së Memaliajt, duke nënvizuar se kjo është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës për nga numri i banorëve dhe sipërfaqja territoriale. Sipas tij, mungesa e transparencës, konsultimit publik dhe dëgjimit të zërit të qytetarëve përbën një shqetësim serioz, ndërsa vendimi për shkrirjen e bashkisë do të ketë pasoja të rënda në zhvillimin ekonomik, në ofrimin e shërbimeve, në ruajtjen e traditave dhe në luftën kundër shpopullimit të zonës.

Në deklaratën e tij, Albert Malaj kujton se Memaliaj kishte hyrë në një fazë të re zhvillimi, me investime në infrastrukturë, rritje të të ardhurave, aktivitete kulturore, artistike e sportive dhe një administrim më efikas të fondeve publike. Pikërisht në këtë moment, thotë ai, qeveria ka zgjedhur t’i japë “goditjen më të rëndë” qytetit, duke propozuar shkrirjen e bashkisë, në vend që të mbështeste më tej zhvillimin e saj. Ai u është bashkuar gjithashtu thirrjeve të qytetarëve për protestë, duke i ftuar banorët e Memaliajt dhe të 53 fshatrave të ngrihen në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ruajtur bashkinë dhe të ardhmen e komunitetit.

Më poshtë vijon reagimi i kryebashkiakut: I zotit Albert Malaj në Facebook:

Të dashur banorë të qytetit të Memaliajt,

Në respekt të qindra mesazheve që më keni dërguar, ku me të drejtë kërkoni të protestoni për padrejtësinë që po i bëhet qytetit të Memaliajt dhe 53 fshatrave të tij mbi fshirjen e bashkisë në kuadër të hartës së re territoriale të propozuar, dua t’ju drejtohem me këtë mesazh;
SI Kryetar i Bashkisë Memaliaj, ndonëse kam marrë pjesë në dëgjesën e zhvilluar në Gjirokastër dhe në seancën dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë ku e kam kundërshtuar me forcën e argumentit propozimin që Bashkia Memaliaj të shkrihet, argumentat nuk janë marrë për bazë. Edhe pse Bashkia Memaliaj është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës, si për numrin e banorëve, ashtu edhe për sipërfaqen e tij mungon transparenca dhe mungon dëgjesa publike me komunitetin e Bashkisë Memaliaj për të dëgjuar zërin real të tyre.

Kam paraqitur të gjitha argumentet që tregojnë se një vendim i tillë sjell humbje të identitetit, traditave dhe kulturës sonë, ngadalëson ritmin e zhvillimit ekonomik, nxit më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në një kohë kur kjo bashki po merrte gjallëri përmes aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive, po përmirësonte infrastrukturën rrugore falë fondeve të bashkisë e mirëmenaxhimit të taksave vendore, po u përgjigjej problemeve të qytetarëve nga qendra e qytetit deri në fshatin më të largët;
Në një kohë kur, vit pas viti, po rriste performancën, të ardhurat dhe po shfrytëzonte më mirë potencialet e saj;
Në një kohë kur Bashkia Memaliaj po arrinte të mirëmenaxhonte çdo qindarkë, dhe në një kohë kur qeveria duhej të investonte në infrastrukturën rrugore, ujore, energjetike dhe arsimore për ta zhvilluar më tej këtë bashki, i dha shuplakën më të hidhur duke propozuar shkrirjen e tij.

Komisionit që e sheh Bashkinë e Memaliajt si barrë buxhetore dua t’i bëj një pyetje: për çfarë janë taksat e shqiptarëve? A janë për AKSHI-n, për tunelet që kushtojnë dhjetëra miliona euro më shumë se parashikimet, për koncerte luksi apo për pagesa charter? Apo janë për të garantuar zhvillimin dhe shërbimet për qytetarët? Me këtë vendim, keni tejkaluar çdo kufi në raport me banorët e Memaliajt.

Ndaj sot, banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave u them se jam plotësisht dakord me kërkesën tuaj për të protestuar. Jam dakord që sot, në orën 19:00, të mblidhemi te Ura e Vjetër, në hyrje të qytetit, për të mbrojtur të drejtën tonë dhe të ardhmen e Memaliajt.

Sot, më shumë se kurrë, në mbrojtje të Memaliajt.

Sepse ka vendime që nuk ndërtojnë të ardhmen e një komuniteti; thjesht fshijnë nga harta atë që nuk kanë ditur ta zhvillojnë.

Written by: WindowMedia.de

Rate it