Listeners:
Top listeners:
play_arrow
Window Radio WindowRadio.de
Shkëlqesisë së Tij, Prof. Dr. Bajram Begaj!
I nderuar dhe respektuar Shkëlqesia Juaj, President Begaj,
Gjithmonë ka patur arsye për t’ju shkruar Ju me qëllim që të kërkohet ushtrimi i autoritetit Tuaj për të mbrojtur territorin dhe intesresat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar! Por rasti i fundit, kur kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë kanë nënshkruar në parim hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër dhe asaj të Shqipërisë në Bujanovc, është rast i paprecedencë në shkelje të interesit tonë kombëtar e shtetëror. E di se në çdo vendimmarrje gjenden argumente pro dhe kundër. Mbështetësit e kryeministrit po thonë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër është një gjest formal, sepse kjo konsullatë vetëm 54 qytetarëve me origjinë serbe do t’u shërbejë. Dhe sipas tyre “nuk ka nevojë që të politizohet marrëveshja e nënshkruar”! Ndërsa hapja e konsullatës shqiptare në Bujanovc, thonë ata, u shërben gati 100 mijë shqiptarëve, duke e pretenduar “si të suksesshëm” vendimin në fjalë. Këta apologjetë po e mbrojnë vendimin në fjalë me të tilla argumente, si ato “të bashkëpunimit e mirëkuptimit rajonal”! Por unë nuk di ndonjë vend tjetër në botë që në shenjë tolerance, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi fal zona ekskluzive influence dhe përligj pretendime territoriale ndaj fqinjit të tij. Aq më pak t’i falë influencë një vendi si Serbia, e cila para dite e mbas dite, madje edhe në mesnatë na sulmon dhe kërcënon, sidomos në Kosovë. Dhe të vjen keq që këtë narrativë e mbrojnë gjithashtu gazetarë të Kosovës, të cilët e njohin Serbinë shumë herë më mirë sesa ne shqiptarët e Shqipërisë.
Më lejoni i nderuar president Begaj të sqaroj sa më poshtë:
Sot, në krye të shtetit të Serbisë janë pasardhësit e Milosheviçit, si psh dy ish-ministrat e tij, Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq. Ata kanë shpallur dhe shpallin çdo ditë politikat e tyre anti-shqiptare, deri te provokimet për ndërhyrje ushtarake kundër shtetit të Kosovës.
Ndërkaq ata që i njohin zhvillimet në Ballkan dhe në rajon gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913) e dinë se Shkodra është pretenduar përmes një fushate të rrezikshme nga ana e Beogradit dhe Cetinjës. Kush beson se pasardhësit e Milosheviçit kanë hequr dorë nga ato pretendime, ai gabohet rëndë. Megjithatë, shteti shqiptar, përkatësisht kryeministri dhe ministri i Jashtëm, nuk pranojnë të marrin në konsideratë rrethana të tilla krejt të pavaforshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Janë marrosur në veprimtarinë e tyre pro-interesave të Serbisë dhe nuk duan të kuptojnë se Beogradi ka burgosur psh informatorin serb të varrezës masive të 24 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës në Zubin Potok, ku sot po bëhen kërkime për gjetjen e eshtrave të tyre.
Ndërsa Serbia sillet me Kosovën siç sillej Milosheviçi i Zi ndaj saj, ndërsa mijëra kufoma të genocidit serb në Kosovë fshihen në varreza masive serbe, ndërsa një ministre e qeverisë së Beogradit kritikon Milosheviçin pse ai në vitin 1998 nuk e spastroi Kosovën etnikisht nga shqiptarët, ndërsa në Kosovë zbulohen gjithnjë e më shumë agjentë të BIA-s serbe, kryeministri dhe shefi ynë i diplomacisë e shpërblejnë Beogradin me një konsullatë në Shkodër. Kjo sjellje nuk është e bazuar te reciprociteti, i dashur president, por në një lloj marrëdhënie inferiore dhe madje të dyshimtë e të rrezikshme midis Tiranës Zyrtare dhe Beogradit. Prandaj nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e konsideroj pa asnjë pendesë si tradhti kombëtare të kryeministrit tim e Tuajit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme.
Por ne nuk duhet të lejojmë më që fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve të vendoset nga fati i këtyre ekuilibrave. Nuk duhet të lejojmë që fati i Shqipërisë të varet nga marrëdhëniet midis Fuqive të Mëdha e të Mesma në Europë. Ne duhet të parashikojmë vetë gjithçka që na sjell dëme ose dobi dhe të veprojmë politikisht e diplomatikisht bazuar në këtë princip. Fatkeqësisht jo rrallë Shqipëria u ka shpëtuar goditjeve fatale për shkak të ekuilibrave rajonalë e jo për shkak të angazhimit politik e doplomatik të lidershipit të saj. Ndërsa lidershipi i sotëm me shumë vendime që merr duket se po mban gjithnjë e më shumë anën e armiqve të kombit shqiptar. Marrëveshja për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër është vendimi i fundit antishqiptar i tij.
Kjo sjellje e tij e çuditshme në pajtim me politikat serbe të Aleksandër Vuçiq tani u shoqërua me marrëveshjen për hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër. Kjo konsullatë do të jetë një trashëgimi anti-shqiptare e kryeministrit dhe ministrit tonë të Jashtëm. Prandaj ju lutem zoti President Begaj që me autoritetin Tuaj si kryetar i shtetit shqiptar të ndërhyni dhe ta ndaloni zbatimin e marrëveshjes së sipërpërmendur. Në emër të së drejtës, në emër të së mirës së përbashkët të Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit, në emër të së vërtetës, në emër të paqes e sigurisë dhe në emër të të madhit Zot, pengojeni i nderuar President hapjen e kësaj konsullate, e cila do të jetë si gozhda e Nastradinit në hapësirën tonë shqiptare për Serbinë. Do t’u nxihet jeta shkodranëve me intrigat dhe djallëzitë e Beogradit dhe do ia shohim sherrin të gjithë ne shqiptarët një vendimi të tillë. Kujtoni se çfarë po ndodh në Himarë nga viti 2001 dhe do ta kuptoni se sa e rrezikshme është që në Shkodër të jetë prezente Serbia, qoftë dhe përmes një konsullate. Asnjë vend në botë nuk ka interes që të hapë një konsullatë për t’u shërbyer 54 minoritarëve në një qytet ose rajon të caktuar. Serbia e dëshiron këtë jo për ata 54 banorë me origjinë serbe, por për të lokalizuar gjithashtu një “Betejë të re si ajo e Fushë-Kosovës”!
Me besim të padiskutueshëm në ndërgjegjën Tuaj kombëtare dhe me shpresë se Ju do të bëni gjënë e duhur,
Me falenderimet e mia për mirëkuptimin Tuaj
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore
Tiranë, më 03.08.202
Written by: WindowMedia.de
Copyright Pro Radio - Edit this text in customizer.