Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Rajon

MEDVEGJA NË ALARM – MUHARREM SALIHU: “KËTU PROVOHET NËSE TË DREJTAT E SHQIPTARËVE JANË PARIM APO VETËM FJALË”

todayAugust 23, 2026 10

Background
share close

Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës rikthehet sërish në qendër të debatit politik, këtë herë përmes një reagimi të fortë të Muharrem Salihut, i cili e vendos Medvegjën në zemër të një problemi shumë më të madh sesa një vizitë presidenciale apo një episod i radhës politik. Për Salihun, mënyra se si shteti serb sillet ndaj shqiptarëve të Medvegjës është prova konkrete me të cilën duhet matur serioziteti i çdo deklarate për barazi, të drejta qytetare dhe respektim të pakicave.

Reagimi i tij vjen në sfondin e vizitave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në zonat e Luginës së Preshevës. Salihu ndalet veçanërisht te karakteri që ai e cilëson selektiv të këtyre vizitave, duke ngritur shqetësimin se në Medvegjë vëmendja presidenciale është përqendruar vazhdimisht në vendbanimet me popullsi serbe, ndërsa fshatrat e banuara nga shqiptarët kanë mbetur jashtë itinerarit. Për të, kjo nuk mund të shihet thjesht si çështje protokolli apo axhende, por si një mesazh politik që reflekton mënyrën se si trajtohet komuniteti shqiptar.

Por kritika e Salihut nuk drejtohet vetëm ndaj Beogradit. Ai godet edhe heshtjen dhe reagimin e vonuar të faktorit politik shqiptar në Luginë, duke kërkuar që Medvegja të mos kujtohet vetëm atëherë kur situata bëhet aq e rëndë sa nuk mund të anashkalohet më. Pikërisht këtu reagimi merr një dimension më të gjerë: Medvegja, sipas tij, nuk duhet trajtuar si periferia politike dhe demografike e çështjes shqiptare në Serbi, por si vendi ku shihet më qartë nëse mekanizmat institucionalë funksionojnë realisht për shqiptarët.

Në qendër të shqetësimit ai vendos çështjen e adresave dhe të evidencave administrative të shqiptarëve të Medvegjës. Për Salihun, rikthimi i adresave nuk është një kërkesë teknike dhe as një pikë dytësore në një listë problemesh. Ai e konsideron atë themelin nga i cili burojnë shumë të drejta të tjera, sepse kur një qytetar humbet ekzistencën e tij administrative, rrezikon të humbasë edhe mundësinë efektive për të ushtruar një varg të drejtash civile, politike dhe shoqërore.

Mesazhi që ai përcjell është i drejtpërdrejtë: nuk mund të flitet bindshëm për barazi ndërsa ekziston pretendimi se një pjesë e shqiptarëve po përballen me probleme që prekin vetë regjistrimin dhe praninë e tyre administrative. Nuk mjaftojnë deklaratat politike, vizitat apo premtimet; barazia, sipas kësaj logjike, duhet të provohet në dokumente, në institucione dhe në trajtimin e përditshëm të qytetarit.

Për këtë arsye Muharrem Salihu e përmbledh gjithë problemin me një formulim politikisht të fortë: “Medvegja është banka e provës.” Sepse pikërisht aty, sipas tij, duhet të provohet nëse të drejtat e shqiptarëve në Serbi konsiderohen një parim i panegociueshëm që zbatohet në praktikë, apo mbeten një deklaratë që përsëritet sa herë politika ka nevojë për të.

Më poshtë, reagimi i plotë i Muharrem Salihut:

MEDVEGJA KA QENË DHE DO TË MBETET BANKË-PROVË!

Vizita e Presidentit të Serbisë Vuçiq në fshatrat serbe të Luginës së Preshevës nuk është thjeshtë një vizitë. Ajo është një mesazh politik.

Në Medvegjë, Pres.Vuçiq i ka vizituar vazhdimisht zonat e banuara me serbë. Por, ai asnjëherë nuk i ka vizituar fshatrat e banuara me shqiptarë.

Edhe kjo nuk është aspak rastësi.
Është politikë selektive.

Dhe përballë kësaj, shqetësuese është edhe heshtja e partive tona “rajonale”, që reagojnë vetëm kur problemi bëhet i pamundur për t’u injoruar.

Në Medvegjë çështja është edhe më e rëndë: ne kërkojmë të drejta, ndërkohë që administrativisht shteti sillet sikur shqiptarët nuk ekzistojnë.

Prandaj kërkesa për kthimin e adresave të shqiptarëve të Medvegjës nuk është një kërkesë dytësore. Është pika e parë. Pa ekzistencë administrative, nuk ka barazi reale. Pa adresë, nuk ka të drejtë të sigurt. Pa kthim të njerëzve në evidencat zyrtare, çdo premtim për të drejtat tona themelore mbetet vetëm fjalë.
I kuptoj dhe i ndjej mjaft mirë reagimet e Preshevës për vizitat selektive të Pres.Vuçiq.

Vetëm se ne në Medvegjë e kemi parë këtë film më herët. Dhe jo vetëm një herë.

Prandaj Medvegja nuk duhet të jetë më periferia e vëmendjes shqiptare.

Medvegja është banka e provës.

Në Medvegjë provohet nëse të drejtat e shqiptarëve në Serbi, janë parim i panegociueshëm apo thjesht deklaratë politike.

Written by: WindowMedia.de

Rate it