Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

PRINDËR MOS EDUKONI VRASLS:
MOS NA I VRISNI VAJZAT:

todayAugust 24, 2026 11

Background
share close

Po e shkruaj këtë jo vetëm si një burrë që revoltohet kur dëgjon se një grua është dhunuar apo vrarë.
Po e shkruaj si baba i një vajze.
Dhe kur je baba i një vajze, një lajm për një grua të vrarë nuk mbaron kur fik televizorin.
Të futet në mendje një pyetje e tmerrshme:
Po sikur nesër të ishte vajza ime?
Po sikur njeriu të cilit ajo i ka besuar zemrën, trupin, ëndrrat dhe ndoshta fëmijët e saj, një ditë të vendoste se ka të drejtë edhe mbi jetën e saj?
Vetëm mendimi të çmend.
Sepse unë e di çfarë do të thotë për një baba vajza e tij.
E ke parë të vogël.
E ke mbajtur për dore.
E ke dëgjuar të qajë.
E ke parë të qeshë.
Je shqetësuar kur është sëmurë.
Ke dashur ta mbrosh nga gjithçka.
Dhe një ditë ajo rritet. Dashuron. Beson.
Krijon jetën e saj.
Dhe ti duhet të pranosh se nuk mund të jesh gjithmonë pranë saj.
Por kurrë, kurrë, nuk mund ta pranosh idenë se njeriu që ajo zgjodhi për ta dashur mund të bëhet njeriu prej të cilit duhet të shpëtojë gjallë.
Prandaj dua ta bëj pyetjen pa dorashka:
ÇFARË DREQIN PO NDODH ME NJË PJESË TË BURRAVE SHQIPTARË?
Çfarë mekanizmi psikologjik e kthen fjalinë “ajo nuk më do më” në “ajo duhet të vdesë”?
Çfarë deformimi të konceptit të burrërisë e bën një mashkull të besojë se refuzimi i një gruaje është poshtërim që duhet larë me gjak?
Çfarë kulture posesiviteti kemi ushqyer që disa ende mendojnë se gruaja është pronë dhe largimi i saj është rebelim?
Nga Shqipëria në Kosovë, nga veriu në jug e deri në emigracion, dhuna ndaj grave nuk mund të vazhdojë të trajtohet si një seri “ngjarjesh familjare”.
Familja nuk është skenë krimi.
Martesa nuk është burg.
Burri nuk është pronar.
Gruaja nuk është pronë.
Dhe sidomos:
Xhelozia nuk është dashuri.

Psikologjikisht, duhet ta ndajmë qartë sëmundjen mendore nga dhuna.
Nuk është e saktë të thuhet se vetëm një person me sëmundje mendore mund të vrasë partneren.
Shumica dërrmuese e njerëzve me probleme të shëndetit mendor nuk janë vrasës.
Përkundrazi, duke e quajtur çdo dhunues “të çmendur”, rrezikojmë t’i japim krimit një alibi që nuk e meriton.
Një burrë mund të jetë pa një diagnozë psikiatrike dhe megjithatë të jetë tmerrësisht i rrezikshëm.
Sepse problemi mund të jetë tjetërkund:
Te nevoja patologjike për kontroll, posesiviteti ekstrem, mungesa e empatisë, impulsiviteti, agresiviteti, bindjet misogjene, paaftësia për të përballuar refuzimin dhe ajo ego e sëmurë që i thotë:
“Nëse nuk është e imja, nuk do të jetë e askujt.”
Kjo fjali duhet të na tmerrojë.
Sepse aty gruaja nuk ekziston më si qenie njerëzore.
Ekziston si objekt.
Dhe kur njeriu përballë teje shndërrohet psikologjikisht në pronë, kufiri moral për ta kontrolluar, goditur apo shkatërruar bëhet shumë më i lehtë për t’u kaluar.

Dhuna zakonisht nuk zbret nga qielli ditën e vrasjes.
Ajo jep shenja. Kontrolli. Poshtërimi. Izolimi. Kërcënimi. Përndjekja.
Shpërthimet e zemërimit.
Kontrollimi i telefonit.
Akuza të pafundme për tradhti.
Kërcënimi pas ndarjes.
“Do të shohësh çfarë do të të bëj.”
“Pa mua nuk ke për të jetuar.”
“Do të të vras.”

Kur një grua i thotë policisë, familjes apo shoqërisë “kam frikë prej tij”, ajo nuk duhet të dërgohet në shtëpi me këshillën primitive:
“Uluni dhe sqarohuni.”
Çfarë dreqin të sqarojë?
A duhet të negociojë për jetën e vet?
Kur ka kërcënim serioz, nuk duhet pajtim me çdo kusht.
Duhet vlerësim profesional i rrezikut dhe mbrojtje.
Dhe këtu dua të hap një debat që shoqëria shqiptare duhet ta bëjë pa frikë:
Përpara martesës dhe sidomos përpara krijimit të familjes, duhet të shqyrtohen mekanizma seriozë të edukimit dhe vlerësimit psikologjik e psikosocial për të dy partnerët.
Jo një copë letër që blihet apo vuloset për formalitet.
Jo një “certifikatë” që pretendon se garanton se dikush nuk do të bëhet kurrë dhunues, sepse psikologjia nuk funksionon kështu.
Por një proces real:
Edukim mbi menaxhimin e konfliktit, kontrollin e impulseve, xhelozinë, komunikimin, kufijtë personalë, prindërimin, dhunën dhe shenjat e rrezikut.
Ne kërkojmë dokumente për njëqind gjëra.
Por për të krijuar një familje mendojmë se mjafton dashuria.
Jo.
Dashuria pa pjekuri emocionale mund të kthehet në varësi.
Xhelozia pa vetëkontroll mund të kthehet në obsesion.
Obsesioni i kombinuar me kontrollin dhe agresivitetin mund të bëhet rrezik.
Dhe kur kërcënimet fillojnë, shteti nuk duhet të presë kufomën që të provojë se rreziku ishte real.
Por më revolton edhe një hipokrizi tjetër.
Ti, burrë që ngre dorën mbi gruan, ke ardhur në këtë botë nga barku i një gruaje.
Ke nënë.
Ndoshta ke motër.
Ndoshta ke vajzë.
Ndoshta një ditë dikush do të dashurojë vajzën tënde.
Si do të ndiheshe sikur ajo të telefononte natën dhe të të thoshte duke qarë:
“Babi, kam frikë. Ai më kërcënon.”
A do t’i thoshe të duronte?
A do t’i thoshe se ai është thjesht xheloz sepse e do?
A do t’i thoshe të kthehej në shtëpi që “të mos prishej familja”?
Jo.
Do të vrapoje ta merrje vajzën tënde.
Atëherë ku është ndërgjegjja jote kur gruaja që terrorizon është vajza e një babai tjetër?
Ajo që godet është motra e dikujt.
Ajo që përndjek është vajza e dikujt.
Ajo që kërcënon është nëna e fëmijëve të tu.
Dhe nëse e vret, mos guxo ta quash dashuri.
Ti nuk vrave sepse deshe shumë.
Vrave sepse në atë moment vendose egon, kontrollin dhe pushtetin tënd mbi të drejtën e saj për të ekzistuar.
Dhe këtu ligji duhet të jetë i ftohtë.
Pa poezi. Pa romantizim.
Pa “krim pasioni”.
Pa “e humbi toruan nga dashuria”.
Vrasja është vrasje.
Kur plotësohen kriteret ligjore për format më të rënda të vrasjes, drejtësia duhet të përdorë dënimet më të rënda që parashikon ligji, deri në burgim të përjetshëm.
Por edhe kjo nuk më mjafton.
Sepse burgimi i vrasësit nuk ia kthen vajzën babait.
Nuk ia kthen nënën fëmijëve.
Nuk ia kthen motrën vëllait.
Nuk ia kthen jetën gruas.
Prandaj beteja e vërtetë duhet të zhvillohet para vrasjes.
Dua që kërcënimi të merret seriozisht. Dua që përndjekja të merret seriozisht.
Dua që dhuna e përsëritur të merret seriozisht. Dua që një burrë me histori dhune të mos konsiderohet “problem familjar”.
Dua që një grua që thotë “kam frikë se do të më vrasë” të mos jetë e detyruar të provojë frikën e saj me trupin e vet të pajetë.
Dhe mbi të gjitha dua të ndryshojmë mënyrën si rrisim djemtë.
Mos i mësoni vetëm të jenë të fortë.
Mësojini të përballojnë humbjen.
Mësojini të pranojnë refuzimin.
Mësojini të qajnë pa u turpëruar.
Mësojini të kërkojnë ndihmë psikologjike.
Mësojini se gruaja nuk u detyrohet.
Mësojini se një marrëdhënie mund të përfundojë.
Mësojini se një “JO” është një fjali e plotë.
Dhe mësojini një gjë që duhet të ishte elementare:
Nëse një grua nuk të do më, ti largohesh.
Nuk e vret.

Unë jam baba i një vajze.
Dhe nuk dua që një ditë t’i them asaj:
“Ki kujdes kë dashuron.”
Dua të jetoj në një shoqëri ku mund t’i them:
“Dashuro kë të duash, bija ime.
Ligji, shoqëria dhe njerëzit rreth teje do ta respektojnë të drejtën tënde për të thënë PO, për të thënë JO.
Dhe, nëse një ditë dëshiron, për t’u larguar.”
Sepse vajzat tona nuk kanë nevojë për burra që premtojnë se do të vdesin për to.
Kanë nevojë për burra që dinë të jetojnë pranë tyre pa ua marrë frymën, lirinë dhe jetën.
Dhe si baba, kam vetëm një fjali për çdo burrë që mendon se një grua i përket:
MOS MA PREK VAJZËN.
MOS IA PREK VAJZËN ASNJË BABAI.
Nëse nuk të do më, largohu.
Nëse të dhemb, kërko ndihmë.
Nëse zemërimi po të kontrollon, kërko psikologun.
Nëse marrëdhënia mbaroi, pranoje.
Por kurrë mos e shndërro dhimbjen tënde në funeralin e saj.
Sepse pas çdo gruaje të vrarë mbetet një familje që nuk jeton më si më parë, fëmijë që mbajnë një traumë për gjithë jetën.
Dhe, diku, një baba që do të jepte gjithçka vetëm ta dëgjonte edhe një herë vajzën e tij t’i thoshte:
“Babi të dua shumë”
Dhe pikërisht atëherë kuptojmë sa kriminale është fjalia “e vrau nga dashuria”.
Jo.
Dashuria nuk vret.
Njeriu vret.
Dhe shteti, familja e shoqëria duhet ta ndalojnë përpara se vajza e radhës të bëhet fotografia e radhës në kronikën e zezë.

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: WindowMedia.de

Rate it