Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

POSTET I LASHË, PARIMET JO:
NUK MUND TË KËRKOSH DEMOKRACI PËR SHQIPËRINË DHE TË HARROSH MERITOKRACINË BRENDA PARTISË”

todaySeptember 11, 2026 20

Background
share close

BARDHOK DODA:
INTERVISTË PËR WINDOW MEDIA:“

Intervistë e Window Media me Bardhok Dodën:

Pas shumë vitesh angazhimi politik, sakrifice dhe kontributi në mbështetje të Partisë Demokratike, Bardhok Doda ka vendosur të mbyllë një kapitull të rëndësishëm të rrugëtimit të tij politik.
Dorëheqja e tij nuk vjen si një largim i heshtur.
Përkundrazi, Doda ka zgjedhur të flasë për meritokracinë, dinjitetin politik, vlerësimin e kontributit dhe mënyrën se si duhet të funksionojë një forcë që kërkon t’u ofrojë shqiptarëve demokraci dhe përfaqësim.
Për vite me radhë, ai ka qenë aktiv jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Bruxel e në Strasburg dhe në kontaktet me qarqe politike e institucionale europiane.
Sipas tij, njohjet me deputetë, eurodeputetë, senatorë dhe diplomatë janë vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe çështjes shqiptare, pa u kushtëzuar me kërkesa personale për poste apo privilegje.
Pikërisht për këtë arsye, largimi i Bardhok Dodës nuk mund të shihet vetëm si dorëheqja e një funksionari.
Është edhe një pyetje për politikën shqiptare:
A dinë partitë të vlerësojnë njerëzit që kanë dhënë vite të jetës së tyre për to?
Në një intervistë të zgjeruar për Window Media, Bardhok Doda flet për arsyet e largimit, marrëdhënien me Partinë Demokratike, përgjegjësinë e lidershipit, diasporën, meritokracinë dhe atë që synon të bëjë më tej.

INTERVISTA:
Z. Doda, pse u larguat?
Cila ishte pika kur thatë:
“Deri këtu”?

Bardhok Doda:
Nuk u largova për një post të humbur, sepse postet nuk kanë qenë kurrë arsyeja pse jam marrë me politikë.
U largova kur kuptova se vazhdimi im në ato funksione do të nënkuptonte të heshtja përballë gjërave me të cilat nuk pajtohem.
Kam dhënë vite, kohë, energji, kontakte dhe sakrificë.
Kam qenë aty kur ishte e vështirë, jo vetëm kur ishte komode të deklaroheshe demokrat.
Por vjen një moment kur duhet të zgjedhësh mes funksionit dhe ndërgjegjes.
Unë zgjodha ndërgjegjen.

Ju thatë:
“Aty ku nuk ka meritokraci, nuk mund të ketë demokraci.”
Është kjo akuza juaj kryesore ndaj mënyrës së funksionimit të PD-së?

Po.
Sepse demokracia nuk fillon ditën kur hapen kutitë e votimit.
Demokracia duhet të fillojë brenda vetë partisë.
Nëse kërkon demokraci për Shqipërinë, duhet ta praktikosh në shtëpinë tënde politike.
Nëse kërkon meritokraci në administratë, duhet të respektosh meritën brenda strukturës tënde.
Nuk mund t’u thuash shqiptarëve:
“Na besoni, sepse ne do të ndryshojmë Shqipërinë”, ndërkohë që njerëzit brenda teje pyesin:
Po ne, kush na dëgjon?
Kush e mat punën tonë?
Kush e vlerëson sakrificën tonë?

Pra mendoni se kontributi nuk vlerësohet më?

Unë flas për atë që kam parë dhe përjetuar vetë.
Dhe po, kam arritur në përfundimin se kontributi nuk merr gjithmonë peshën që meriton.
Në politikë është krijuar një kulturë shumë e rrezikshme.
Njerëzit kujtohen kur duhen.
Telefonohen kur ka fushatë.
Mobilizohen kur duhen vota.
Kërkohen kur duhet të mbushet një sallë.
Dhe pastaj harrohen.
Kjo nuk është meritokraci.
Është konsum politik i njerëzve.

A ndiheni i përdorur nga PD-ja?

Nuk dua ta reduktoj gjithë rrugëtimin tim në një fjalë të tillë.
Atë që kam bërë, e kam bërë me bindje.
Nuk më detyroi askush dhe nuk pendohem.
Por një gjë dua ta them shumë qartë:
Besnikëria nuk duhet ngatërruar me nënshtrimin.
Të jesh besnik ndaj një ideali nuk do të thotë të heshtësh përballë çdo gabimi.
Kam respektuar Partinë Demokratike.

Por mbi partinë kam Shqipërinë dhe mbi postin kam dinjitetin tim.

Keni folur për kontaktet tuaja me deputetë, eurodeputetë, senatorë dhe diplomatë.
Çfarë keni bërë konkretisht?

Kam vënë në dispozicion të kauzës politike kontakte që i kam ndërtuar ndër vite.
Si do mos këtu në Itali ku unë jetoj.
Kam komunikuar me njerëz të politikës italiane dhe me institucione europiane.
Kam kërkuar mbështetje për Partinë Demokratike dhe për çështje që lidhen me Shqipërinë.
Nuk kam telefonuar për t’u thënë:
“Ndihmoni Bardhok Dodën.”
Kam kërkuar mbështetje për një kauzë ku besoja.
Dhe e kam bërë pa e kthyer kontributin tim në faturë politike.

A promovohen njerëz me më pak kontribut ndërsa të tjerë lihen mënjanë?

Problemi nuk është të bëjmë gjyqin publik të individëve.
Problemi është sistemi i vlerësimit.
Një parti serioze duhet të ketë memorie institucionale.
Duhet të dijë kush ka punuar, kush ka sakrifikuar, kush ka prodhuar rezultat dhe kush ka qenë aty kur ishte e vështirë.
Nëse meritën e zëvendëson afërsia personale, humbet njeriu sot dhe organizata nesër.

Ju falënderuat Sali Berishën.
A ka përgjegjësi edhe ai?

Kam falënderuar profesor Sali Berishën për besimin dhe bashkëpunimin që kemi pasur dhe nuk kam arsye ta mohoj këtë.
Por respekti personal nuk e anulon përgjegjësinë politike.
Një lider nuk mund të dijë çdo detaj që ndodh në çdo strukturë.
Por drejtimi ka përgjegjësi të ndërtojë mekanizma ku merita dëgjohet, padrejtësia korrigjohet dhe njerëzit nuk detyrohen të largohen që të dëgjohen.
Respekti personal nuk ma heq të drejtën për kritikë politike.

A i kishit ngritur shqetësimet përpara dorëheqjes?

Dorëheqja nuk ishte reagim emocional i një nate.
Ishte rezultat i një reflektimi të gjatë.
Unë nuk besoj te politika e shantazhit:
“Më jep këtë, përndryshe largohem.”
Por kur bindesh se një problem nuk është më episod, por mënyrë funksionimi, atëherë ke dy rrugë:
Përshtatesh.
Ose largohesh.
Unë zgjodha të mos përshtatem me atë që bie ndesh me bindjet e mia.

Përmendët dokumente dhe nënshkrime që nuk i njihni si tuajat.
Çfarë ka ndodhur?

Këtu dua të jem shumë korrekt.
Unë njoh dhe marr përgjegjësi vetëm për dokumentin që kam hartuar, miratuar dhe dorëzuar vetë.
Nëse qarkullojnë materiale të tjera që më atribuohen, por që nuk janë miratuar apo nënshkruar prej meje, unë distancohem plotësisht prej tyre.
Kur bëhet fjalë për emrin dhe firmën e një njeriu, nuk ka vend për lojëra.

Pse thatë:
“E vërteta nuk ka nevojë për falsifikim”?

Sepse e vërteta duhet të qëndrojë mbi fakte dhe dokumente autentike.
Nëse dikush ka diçka për të thënë për mua, le ta thotë me emrin e vet.
Nëse unë kam diçka për të thënë, e them vetë dhe e firmos vetë.
Nuk kam nevojë që dikush tjetër të më shkruajë historinë time.

Të kalojmë te diaspora.
Si e kanë trajtuar partitë shqiptare atë?

Për shumë vite diaspora është parë si një bankomat ekonomik dhe, në periudha elektorale, si rezervuar mbështetjeje politike.
Shqiptari jashtë vendit është shumë i mirë kur dërgon para.
Kur organizon takime.
Kur mbush një sallë.
Kur jep votën.
Por kur kërkon të jetë pjesë e vendimmarrjes, papritur dëgjon:
“Ti jeton jashtë dhe nuk e njeh realitetin.”
Kjo mendësi duhet të marrë fund.
Diaspora nuk është dekor.
Diaspora është pjesë e kombit.

Pra z. Doda diaspora duhet të kërkojë pushtet politik?

Duhet të kërkojë përfaqësim, jo privilegj.
Ne nuk kërkojmë poste sepse jetojmë jashtë Shqipërisë.
Kërkojmë që eksperienca, profesionalizmi dhe kontributi i diasporës të mos trajtohen si zbukurim në fjalimet politike.
Kjo eksperiencë duhet të shndërrohet në kapital për Shqipërinë.

Më 26 shtator diaspora mblidhet në Milano dhe ju jeni ndër organizatorët kryesorë.
Çfarë do të ndodhë konkretisht?

26 shtatori nuk është organizuar për fotografi dhe as për një sallë ku njerëzit të duartrokasin njëri-tjetrin.
Synimi është që atë ditë të hidhet një hap konkret:
Ngritja e Grupit Nismëtar.
Ky grup duhet të marrë përgjegjësinë për fazën e mëtejshme të organizimit.
Nuk dua një grup njerëzish që vetëshpallen pronarë të një projekti.
Dua një grup që të marrë mandat pune.
Të organizojë. Të konsultojë.
Të ndërtojë platformën.
Të përgatisë strukturën.
Dhe pastaj ta çojë procesin në Shqipëri.

Pra pas 26 shtatorit synohet krijimi i një partie të re?

Po.
Synimi është që pas ngritjes së Grupit Nismëtar procesi të vazhdojë drejt formimit të një force të re politike.
Dhe kjo parti të formalizohet në Tiranë sipas procedurave që kërkon ligji.
26 shtatori nuk është dita kur thjesht shpallim një emër dhe themi “u bë partia”.
Është pika e fillimit të një procesi politik dhe organizativ.

A keni filluar të punoni juridikisht për këtë?

Po.
Janë zhvilluar konsultime me avokat për përgatitjen e procedurave.
Nëse pretendon se do të ndërtosh mbi shtetin ligjor, duhet të fillosh duke respektuar vetë ligjin.
Nuk dua improvizime. Nuk dua një parti të ndërtuar vetëm mbi entuziazmin e një dite.
Dua një proces serioz.

A është kjo një parti e diasporës?

Jo në kuptimin e një partie të mbyllur vetëm për emigrantët.
Diaspora mund të jetë një motor i rëndësishëm i procesit.
Por forca e re duhet t’u flasë shqiptarëve kudo.
Shqipërisë dhe diasporës.
Nuk dua të krijojmë një mur tjetër.
Dua të ndërtojmë një urë.

Çfarë do ta dallojë këtë forcë nga partitë e tjera?

Nëse ndërtojmë një parti ku funksionet ndahen mes miqve, të afërmve dhe njerëzve që thonë gjithmonë “po”, atëherë kemi dështuar pa filluar.
Nuk mund të kritikosh një sistem dhe pastaj të prodhosh kopjen e tij.
Një rregull duhet të jetë i panegociueshëm:
Askush mbi rregullat.
Mandate të qarta.
Transparencë. Meritokraci. Përfaqësim. Llogaridhënie.

Kush do të jetë kryetari i partisë së re?

Nëse fillojmë me pyetjen “kush do të jetë kryetari?”, atëherë kemi filluar gabim.
Pyetja e parë duhet të jetë:
Çfarë rregullash do të ketë?
Pastaj programi. Kriteret.
Mekanizmat e zgjedhjes.
Dhe vetëm pastaj emrat.
Nuk dua parti të ndërtuar rreth një personi.

Cili do të jetë raporti me PD-në, PS-në dhe partitë e tjera?

Nuk dua një tjetër ushtri tifozësh.
Shqipëria ka nevojë për njerëz që dinë të bashkëpunojnë kur interesi publik e kërkon dhe të kundërshtojnë kur parimet shkelen.
Nuk dua të zëvendësoj një fanatizëm me një fanatizëm tjetër.

Çfarë kërkon konkretisht diaspora?

Jo lëmoshë politike.
Kërkon shtet ku ligji funksionon.
Ku i riu nuk ka nevojë për mik për të gjetur punë.
Ku investitori nuk endet zyrave.
Ku pensionisti trajtohet me dinjitet.
Ku aftësia vlen më shumë se tesera.
Dhe ku shqiptari jashtë vendit nuk kujtohet vetëm kur duhen vota.

Kritikët mund të thonë:
“Bardhok Doda nuk mori atë që donte në PD dhe tani po ndërton diçka tjetër.”

Përgjigjja ime është shumë e thjeshtë.
Le të tregojnë çfarë kam kërkuar.
Post? Karrige? Privilegj?
Nëse dikush ka prova se Bardhok Doda e ka kushtëzuar kontributin e tij me një post, le t’i bëjë publike.
Përndryshe, nuk diskutoj me insinuata.

Nëse Sali Berisha do t’ju kërkonte nesër të riktheheshit?

Çështja nuk është Bardhok Doda.
Nëse ndryshon vetëm pozicioni im personal, nuk ka ndryshuar sistemi.
Unë nuk u largova sepse doja një karrige më të mirë.
Prandaj as nuk rikthehem vetëm sepse dikush ma ofron atë.
Pyetja është:
A ndryshon mënyra e funksionimit?

Çfarë u thoni demokratëve të thjeshtë?

Mos hiqni dorë nga bindjet tuaja vetëm sepse jeni të zhgënjyer nga njerëz apo struktura.
Partitë janë instrumente.
Demokracia është më e madhe se çdo parti.
Dhe mbi të gjitha:
Mos ia dorëzoni askujt të drejtën për të menduar me kokën tuaj.

Po shqiptarëve që janë lodhur nga e majta dhe e djathta?

I kuptoj.
Një familje që nuk paguan dot faturat nuk ushqehet me slogane ideologjike.
Një i ri që merr avionin për t’u larguar nuk pyet nëse papunësia është e majtë apo e djathtë.
Shqiptarët kërkojnë funksionim.
Drejtësi. Mundësi. Dinjitet.
Politika duhet të rikthehet te njeriu.

Çfarë do t’u thoni shqiptarëve më 26 shtator?

Do t’u them:
Mos ejani për Bardhok Dodën.
Mos ejani për një emër.
Mos ejani për një fotografi.
Ejani për të marrë përgjegjësi.
Më 26 shtator duhet të ngremë Grupin Nismëtar dhe prej aty të fillojë puna e vërtetë.
Më 27 shtator procesi nuk duhet të mbarojë.
Duhet të fillojë.

Pra dorëheqja është fund apo fillim?

Dorëheqja është fundi i një funksioni.
Nuk është fundi i Bardhok Dodës.
Unë nuk kam dorëzuar bindjet e mia.
Kam dorëzuar postet.
Pas kësaj duhet të vijë organizimi.
Puna juridike.
Platforma. Struktura.
Dhe më pas themelimi i forcës së re në Tiranë.
Nuk dua një parti të re vetëm në emër.
Dua një mënyrë tjetër të të bërit politikë.
Sepse besoj në një parim shumë të thjeshtë:
Partitë ndryshojnë. Liderët vijnë dhe ikin. Postet mbarojnë.
Shqipëria mbetet.
Dhe nëse duhet të zgjedh mes një posti dhe dinjitetit, zgjedh dinjitetin.
Nëse duhet të zgjedh mes një partie dhe interesit të shqiptarëve, zgjedh shqiptarët.
Dhe nëse duhet të zgjedh mes heshtjes dhe së vërtetës:
Zgjedh të flas.

Ju falënderoj z. Doda për kohën që ju kushtuat lexuesve dhe ndjekësve tanë.
Ju urojmë suksese.
Ju falënderoj edhe unë përzemërsisht për mundësinë që më dhatë të ndaj mendimet e mia me ndjekësit tuaj.

MBYLLJE:

Intervista e Bardhok Dodës për Window Media nis me një dorëheqje, por përfundon me një projekt politik që synon të shkojë shumë më larg se largimi nga një funksion.
Doda nuk paraqitet si një njeri që po largohet nga jeta publike.
Përkundrazi, ai pretendon se po hyn në një fazë tjetër të saj.
Pas viteve të angazhimit, kontakteve politike, punës me diasporën dhe mbështetjes së dhënë për Partinë Demokratike, ai zgjedh sot të vendosë në qendër disa parime që thotë se nuk i negocion:
Meritokracinë, dinjitetin, përfaqësimin dhe llogaridhënien.
Por tashmë sfida bëhet më e madhe.
Sepse nga ky moment nuk mjafton më të kritikosh sistemin e vjetër.
Duhet të tregosh se je në gjendje të ndërtosh diçka më të mirë.
Më 26 shtator në Milano synohet ngritja e Grupit Nismëtar.
Pas tij, procesi pritet të vazhdojë drejt Tiranës, ku synohet formalizimi i forcës së re politike.
Për këtë janë zhvilluar edhe konsultime juridike për përgatitjen e procedurave.
Kjo e vendos Bardhok Dodën dhe bashkëpunëtorët e tij përballë provës më të rëndësishme:
A do të arrijnë të ndërtojnë atë që kërkuan nga të tjerët?
Një strukturë ku merita të vlejë më shumë se afërsia.
Ku rregulli të vlejë më shumë se emri.
Ku diaspora të ketë përfaqësim dhe jo vetëm rol elektoral.
Ku drejtuesit të japin llogari dhe të jenë të zëvendësueshëm.
Nëse kjo ndodh, atëherë dorëheqja e Bardhok Dodës mund të rezultojë jo si fundi i një historie politike, por si fillimi i një tjetre.
Dhe si çdo fillim serioz, edhe ky do të gjykohet jo nga fjalët, por nga ajo që do të ndërtohet pas tyre.
Window Media do ta ndjekë këtë proces, nga Milano drejt Tiranës, nga Grupi Nismëtar te hapat e mëtejshëm politikë dhe juridikë.

Përgatiti – për Window Media:
Koja Leonard:

Written by: WindowMedia.de

Rate it