play_arrow
Window Radio WindowRadio.de
Në kongresin e mbajtur në Erfurt, partia AfD rizgjodhi Alice Weidel bashkëkryetare me 81,3% të votave të delegatëve, duke rritur mbështetjen krahasuar me dy vite më parë.
Ndërsa basbkëkryetari Tino Chrupalla, i cili drejton partinë prej shtatë vitesh, mori 70,05% të votave – një rezultat dukshëm më të dobët se në kongresin e kaluar.
Të dy drejtuesit shfrytëzuan fjalimet e tyre për të theksuar ambicien politike të AfD-së. Weidel tha se partia e saj është tashmë “forca e re popullore në Gjermani”, ndërsa Chrupalla u shpreh i bindur se AfD mund të shënojë fitore të rëndësishme në zgjedhjet rajonale të muajve të ardhshëm, madje duke synuar në të ardhmen edhe qeverisjen e vetme.
Një temë e rëndësishme e kongresit ishte edhe debati rreth listës së organizatave me të cilat anëtarët e AfD-së nuk lejohen të kenë lidhje. Björn Höcke, figura kontroverse dhe lideri i degës së Turingisë, kërkoi rishikimin e kësaj liste për të hapur partinë ndaj grupeve më radikale.
Megjithatë, pas diskutimeve me drejtuesit e partisë, propozimi i tij u tërhoq nga rendi i ditës.
Kongresi u zhvillua nën masa të forta sigurie dhe në prani të protestave masive kundër AfD-së.
Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Erfurtit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të partisë. Pavarësisht bllokimeve dhe protestave, mbledhja e delegatëve nisi sipas planit.
AfD vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në politikën gjermane, ndërsa disa struktura të saj në lande si Turingia, Saksonia dhe Saksonia-Anhalt klasifikohen nga autoritetet e sigurisë si me orientim të konfirmuar ekstremist të djathtë.
Për ata që nuk e dinë, AfD e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë dhe ka votuar kundër prezencës së ushtrisë gjermane në KFOR.
Në sondazhet e fundit kjo parti është e para në Gjermani!
Written by: WindowMedia.de
Copyright Window Media - Developed by Bledi Orhani