Listeners:
Top listeners:
play_arrow
Window Radio WindowRadio.de
Analizë e librit “Snajperët e fundjavës” te Ezio Gavazzeni.
-Teksa lexoja librin mu kujtua një këshillë e babës kur isha fëmijë:- “Nëse sheh dikë që po tenton me të godit, mos prit, godite ti e para.”
Ky shkrim mbështetet në investigimin e Ezio Gavazzenit në librin Snajperët e fundjavës dhe në dokumentarin Serbian Epics (1992) të Pawel Pawlikowskit. Pjesa mbi të ashtuquajturin “Sarajevo Safari” paraqitet sipas dëshmive dhe investigimit të autorit, të cilat janë depozituar dhe regjistruar edhe ne prokurorinë italiane per hetime të mëtejshme.
👇👇
Të gjithë vrasësit kanë një justifikim. Disa flasin në emër të fesë, të tjerë të kombit, të historisë, të sigurisë apo të hakmarrjes. Ata ndërtojnë një rrëfim që ua lehtëson barrën morale të krimit. Por asnjë justifikim nuk e ndryshon natyrën e aktit: një jetë e marrë mbetet një jetë e marrë.
Ndonjëherë pyes veten nëse disa prej atyre që qëllonin mbi Sarajevën e rrethuar e shihnin veten si pjesë të një misioni, madje edhe fetar; një lloj kryqëzate moderne ku tjetri nuk shihej më si njeri, por si armik që duhej zhdukur. Kur njeriu zhvishet nga humaniteti i tij, vrasja bëhet më e lehtë.
Por ekziston edhe një dimension tjetër, akoma më i errët. Ai ku ideologjia nuk mjafton më dhe dhuna kthehet në argëtim.
Në librin Snajperët e fundjavës, gazetari italian Ezio Gavazzeni sjell një investigim tronditës mbi atë që ai e quan “Sarajevo Safari”. Duke u mbështetur në dëshmi dhe intervista, autori përshkruan pretendimet se gjatë rrethimit të Sarajevës persona të huaj, perëndimorë, të pasur dhe të gatshëm të paguanin shuma të mëdha, shkonin në pozicionet serbe vetëm për të qëlluar mbi civilët. Sipas një dëshmitari të cituar në libër, për të marrë në shënjestër një fëmijë paguhej edhe më shumë.
Nëse këto dëshmi janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një nga shfaqjet më të frikshme të çnjerëzimit: kur jeta e tjetrit shndërrohet në objekt loje, kur vdekja matet me emocionin e gjuetisë dhe jo me peshën e ndërgjegjes.
“Ishte tetor 1993. Plumbi nuk qëlloi mbi mua, as mbi ndonjërin prej nesh. Qëlloi Irinën, e cila ishte vetëm një vjeçe e katër ditëshe”, rrëfen nëna e saj. Mjafton kjo fjali për të kuptuar se lufta nuk vret vetëm njerëz; ajo vret edhe vetë kuptimin e njerëzores.
Në dokumentarin Serbian Epics (1992)- e gjeni ne youtube, Pawel Pawlikowski na çon në zemër të nacionalizmit serb të kohës. Kamera regjistron jo vetëm fjalët, por edhe normalizimin e dhunës. Në një bisedë, Radovan Karaxhiçi shprehet se me kroatët mund të gjendet një marrëveshje, por jo me myslimanët, të cilët – sipas tij – prisnin ndërhyrjen e Perëndimit. Më pas vjen pyetja cinike: “Kush do të vdiste për një shtet mysliman në Ballkan? Cila nënë do ta dërgonte të birin të luftonte këtu?”
Më pas dokumentari ofron një nga skenat më të rënda. Një armë Zastava drejtohet nga kodrat mbi Sarajevë. Pak çaste më vonë hap zjarr drejt qytetit. Kamera nuk regjistron vetëm të shtënat; ajo regjistron momentin kur vrasja bëhet rutinë.
Më 11 korrik 1995, në Srebrenicë u krye gjenocidi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë sistematikisht.
Historia na mëson se urrejtja nuk lind brenda natës. Ajo ushqehet për vite me radhë nga propaganda, dehumanizimi dhe gjuha e dhunës.
Pikërisht për këtë arsye duhet të na shqetësojnë edhe sot deklaratat publike që nxisin urrejtje ose bëjnë thirrje për shfarosje ndaj një populli. Fjalët nuk janë të pafajshme. Historia e Bosnjës na mëson se ato mund të paraprijnë krimet.
Për këtë arsye, si qytetare, jam kundër hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, për aq kohë sa vazhdojnë të dëgjohen deklarata që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e shqiptarëve ose relativizojnë krimet e së kaluarës.
Kundërshtimi im nuk buron nga armiqësia ndaj popullit serb, por nga bindja se marrëdhëniet e mira ndërtohen mbi respektin reciprok, pranimin e së vërtetës historike dhe refuzimin e gjuhës së urrejtjes. Pa këto parime, çdo simbol diplomatik rrezikon të perceptohet si një normalizim i një retorike që Ballkani nuk mund ta përballojë më.
Lexoni. Krahasoni burimet. Bëni pyetje. Dëgjoni dëshmitë. Kujtesa nuk duhet të shërbejë për të ushqyer urrejtjen ndaj popujve, por për të na bërë më vigjilentë ndaj ideologjive që prodhojnë krime.
“Kush tenton me të godit, mos prit, godite ti i pari.”
Shkruan Uarda Albunesa:
Written by: WindowMedia.de
Copyright Pro Radio - Edit this text in customizer.