Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

“Aty ku nuk ka meritokraci, nuk ka demokraci” – Bardhok Doda dorëhiqet nga të gjitha postet në PD: “E vërteta nuk ka nevojë për falsifikim!”

todayAugust 13, 2026 289

Background
share close

Një dorëheqje që nuk mbyll vetëm një kapitull politik, por ngre pikëpyetje të forta mbi meritokracinë, demokracinë e brendshme dhe mënyrën se si vlerësohet kontributi i njerëzve brenda strukturave politike. Bardhok Doda ka njoftuar dorëheqjen nga të gjitha postet që ka mbajtur në Partinë Demokratike, duke zgjedhur të largohet me një mesazh të qartë, por pa hequr dorë nga angazhimi i tij publik për shqiptarët dhe diasporën.

Në deklaratën e tij, Doda e paraqet vendimin jo si një tërheqje nga bindjet apo nga kontributi politik, por si një qëndrim parimor. Fjalia “aty ku nuk ka meritokraci, nuk mund të ketë demokraci” përmbledh edhe arsyen kryesore që ai jep për largimin, ndërsa thekson se postet nuk kanë qenë qëllimi i angazhimit të tij.

Pas një rrugëtimi që, sipas tij, është shtrirë nga Italia dhe Shqipëria deri në Strasburg e Bruksel, me kontakte dhe angazhim në mbështetje të Partisë Demokratike dhe çështjes shqiptare, Doda zgjedh të largohet duke falënderuar bashkëpunëtorët, mbështetësit, por edhe kundërshtarët e tij. Një falënderim të posaçëm ia drejton edhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për besimin dhe bashkëpunimin.

Por deklarata merr një peshë edhe më të fortë në fund të saj. Doda këmbëngul se dorëheqja e bërë publike prej tij është ajo që ai thotë se ka dorëzuar zyrtarisht dhe distancohet nga dokumente apo nënshkrime të tjera të publikuara në rrjetet sociale, të cilat deklaron se nuk i njeh si të tijat.

“E vërteta nuk ka nevojë për falsifikim”, shkruan ai, duke e kthyer largimin e tij nga funksionet partiake në një deklaratë për dinjitetin personal dhe transparencën.

Bardhok Doda largohet nga postet, por jo nga angazhimi. Mesazhi që lë është i prerë: një kapitull politik mbyllet, ndërsa angazhimi për diasporën, shqiptarët, Shqipërinë dhe kombin vazhdon.

Më poshtë bijon reagimi i zotit Bardhok Doda në Facebook:Dorëheqje dhe e verteta.

Të dashur vëllezër e motra, të dashur miq të Partisë Demokratike Shqiptare,

Sot, kam vendosur të jap dorëheqjen zyrtarisht nga të gjitha postet që kam mbajtur brenda Partisë Demokratike Shqiptare.

E bëj këtë me qetësi, me ndërgjegje të pastër dhe me vetëdijen se gjithmonë e kam vënë mirëqenien e popullit shqiptar, të diasporës sonë dhe të atdheut tonë mbi çdo gjë tjetër.

Po tërhiqem nga të gjitha pozicionet e mia për një arsye të vetme: aty ku nuk ka meritokraci, nuk mund të ketë demokraci.
Nuk kam kërkuar kurrë poste; (edhe ata që partia mi ka dhënë nuk i kam kerkuar kurrë)roli im i vetëm është të qëndroj krah njerëzve të lirë!

Po e shkruaj këtë të vërtetë me sinqeritet dhe respekt, për të thënë vetëm realitetin reth rugëtimit tim dhe
kontributit që kam dhënë në Itali, Shqipëri, Strasburg dhe Bruksel – gjithmonë me një gëllim të vetëm: tē
mbështes partinë Demokratike dhe atë që e kemi me të shtrenjtë – flamurin shqiptar dhe vetë Shqipërinë. 

Që të jeni plotësisht në dijeni te angazhimit tim. Kam punuar periudhave më
të vështira, kur partia nuk kishte as simbol, as seli dhe as mjete për të ecur përpara.  Nuk kam hezituar të vë dispozicion cdo njohje timen duke filluar nga Deputet, Eurodeputet, senator dhe dipllomat (miq të vërtetë që unë i njifja i njof dhe i falenderoj perzemersisht) U kam kerkuar vetem ndihmen e tyre per Partinë Demokratike.

Nuk kam kërkuar kurrë asgjë për veten time; kam punuar me bindje, sakrificë dhe besnikëri

Dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithë atyre që besuan tek unë, punuan krah meje, më mbështetën dhe e ndanë këtë rrugëtim me mua.
Falënderime të veçanta shkojnë  për të gjithë miqtë e kolegët që kanë kontribuar ndër vite.

Falënderoj gjithashtu ata që nuk ishin dakord me mua, ata që kishin mendime të ndryshme dhe ata që zgjodhën rrugë të tjera. Debati dhe mendimi ndryshe janë pjesë e politikës dhe meritojnë respekt.

Falënderoj madje edhe ata që më kundërshtuan dhe u përpoqën, në mënyra të ndryshme, të më krijonin pengesa në rrugën tonë. Kam mësuar shumë edhe nga ato përvoja.

Për mua, postet dhe detyrat nuk kanë qenë kurrë gjëja më e rëndësishme.
Përgjegjësia ime e vërtetë ka qenë gjithmonë ndaj njerëzve: puna për popullin shqiptar, forcimi i diasporës, bashkimi i komuniteteve tona dhe kontributi për zhvillimin e Shqipërisë sonë.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Profesor Doktor Sali Berishën, për besimin që më dha dhe për bashkëpunimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

Sot po mbyll një kapitull, por nuk po i jap fund angazhimit tim ndaj popullit shqiptar, diasporës dhe atdheut tonë.

Së fundmi, dua të jem shumë i qartë për një pikë: kjo është dorëheqja ime – ajo që kam dorëzuar zyrtarisht Kryetarit të Partisë Demokratike Zotit Sali Berisha. Nuk është ajo që të tjerët pretenduan se dorëzuan apo publikuan në rrjetet sociale, dhe as nuk shoqërohet me dokumente apo nënshkrime që nuk i njoh si të miat.

E vërteta nuk ka nevojë për falsifikim.

Faleminderit të gjithëve që më kanë shoqëruar në këtë rrugëtim.

Dinjiteti im mbetet i paprekur.                                           Angazhimi im vazhdon.
Për popullin shqiptar. Për diasporën. Për Shqipërinë. Për Kombin.

Written by: WindowMedia.de

Rate it