Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

TË JESH KRITIK:
TË MOS JESH SKLLAV:

todaySeptember 15, 2026 4

Background
share close

Të jesh kritik është më shumë sesa të flasësh me zë të lartë.
Është më shumë sesa të lësh një koment në rrjete sociale apo të bësh një status për një padrejtësi.
Të jesh kritik është një akt guximi, një akt i madh moral, një sfidë që individi ia bën turmës së heshtur dhe pushtetit të kalbur.
Kritik është ai që refuzon të jetë spektator në një shoqëri që rrokulliset drejt humnerës.
Kritik është ai që thotë jo, në një kohë kur të gjithë tundin kokën po.
Kritik është ai që ngre zërin, kur shumica ka zgjedhur të mbyllë sytë.
Dhe kjo nuk është e lehtë, sepse çdo pushtet, çdo sistem i sëmurë, çdo shoqëri e përgjumur, e urren kritikën.

Në Shqipëri, kritika është konsideruar shpesh here si rrezik.
Në kohën e diktaturës, të ishe kritik ishte të nënshkruaje me jetën tënde.
Një fjalë, një mendim, një dyshim, të çonte në burg, në Spaç, në internim, në pushkatim.
Heshtja u bë kulturë, u bë mburojë, u bë strategji mbijetese.
Por edhe sot, dekada pas rënies së diktaturës, hija e frikës së kritikës mbetet.
Kush flet kundër qeverisë, etiketohet si armik, si opozitar i verbër, si njeri që ka “qëllime të fshehta”.
Kush kritikon opozitën, damkoset si i shitur, i blerë, i përdorur.
Media që kritikon mbyllet, gjobitet, blihet, shantazhohet.
Aktivistët kritikë linçohen publikisht, përndiqen në gjykata, u hiqen fondet, u mbyllet dera e punësimit.
Kjo tregon se kritika, edhe pse e lirë në letër, në praktikë është ende një akt rebelimi, një thyerje e tabuve, një sfidë e madhe ndaj frikës.

Por të jesh kritik është e domosdoshme.
Pa kritikë, shoqëria nuk ndryshon.
Pa kritikë, pushteti bëhet abuziv, korrupsioni bëhet normë, padrejtësia shndërrohet në rregull.
Kritika është oksigjeni i demokracisë, është gjaku që qarkullon në damarët e një shoqërie të shëndetshme.
Një shoqëri pa kritikë është trup pa imunitet – duket i qetë nga jashtë, por kalbet nga brenda.
Kritika është sistemi i alarmit që na tregon se diçka nuk shkon, që na detyron të hapim sytë, të reagojmë, të mos pranojmë mashtrimin si të vërtetë.
Ajo është pengesa më e madhe ndaj arrogancës së pushtetit, ndaj manipulimit të mediave, ndaj turmës së përgjumur që ecën sipas urdhrave të të fortit.

Të jesh kritik do të thotë të mos pranosh heshtjen.
Heshtja nuk është neutralitet, nuk është zgjedhje e urtë.
Heshtja është bashkëfajësi. Në momentin që hesht përballë korrupsionit, përballë një padrejtësie, përballë një pushteti që abuzon, je po aq fajtor sa ata që e kryejnë atë të keqe.
Pushteti jeton dhe forcohet mbi heshtjen e njerëzve.
Heshtja është karburanti i tij. Por kritika është çekiçi që e thyen këtë mur.
Në çdo moment që një qytetar ngre zërin dhe thotë “jo, kjo nuk është e drejtë”, ai i jep shoqërisë një grimcë lirie.

Të jesh kritik do të thotë të jesh argumentues.
Kritika e vërtetë nuk është sharje, nuk është fyerje, nuk është thjesht mllef i verbër.
Kritika është mendim, është logjikë, është fakt, është forcë arsyetimi.
Kritika e shëndetshme nuk rrëzon thjesht idenë e gabuar, por ofron edhe një rrugë tjetër.
Ajo është si drita që hyn në një dhomë të errët – jo për ta shkatërruar dhomën, por për t’ia nxjerrë në pah gjendjen e vërtetë.
Pushteti ka frikë nga kritika sepse ajo e zhvesh lakuriq, ia heq maskën e propagandës, ia shkatërron iluzionin e forcës absolute.

Të jesh kritik është të jesh i pranishëm në çdo hallkë të shoqërisë.
Nuk mjafton të kritikosh qeverinë një herë në katër vjet, kur vjen dita e zgjedhjeve.
Kritika fillon në familje, kur nuk pranon dhunën, kur nuk pranon nënshtrimin, kur nuk pranon zakonet e kalbura që shtypin gruan dhe fëmijën.
Kritika vazhdon në shkollë, kur nuk pranon korrupsionin e pedagogut, kur nuk pranosh që nota shitet me para.
Kritika ecën në punë, kur nuk bëhesh servil i shefit, por kërkon meritokraci dhe drejtësi.
Kritika vazhdon në rrugë, kur nuk pranon arrogancën e të fortit, kur nuk e mbyll gojën përballë dhunës.
Dhe mbi të gjitha, kritika duhet të jetë e pranishme në media, që është pasqyra e shoqërisë.
Pa media kritike, shoqëria është e verbër, e nënshtruar, e manipuluar.

Të jesh kritik është akt i guximit.
Frika është arma më e fortë e pushtetit.
Në diktaturë, frika vinte nga burgu, nga plumbi, nga internimi.
Sot frika vjen nga varësia ekonomike – humbja e vendit të punës, humbja e favoreve, përjashtimi social.
Por kritiku është ai që e thyen këtë frikë.
Ai që thotë:
“Më mirë i lirë e pa privilegje, sesa i nënshtruar e i varur”.
Kritikët shpesh paguajnë çmim, por është një çmim që kthehet në nder dhe respekt në histori.
Ata që heshtën, u zhdukën me turmën.
Ata që kritikuan, mbetën në kujtesën e popullit.

Të jesh kritik është të duash lirinë.
Kritiku nuk është armik i shoqërisë, siç e paraqet propaganda e pushtetit dhe pushtave.
Ai është kujdestari i saj.
Ai është zëri që mbron të vërtetën, që mbron drejtësinë, që mbron barazinë.
Pa kritikë, shoqëria vdes ngadalë, humb shpresën, shndërrohet në turmë të shurdhër.
Me kritikë, shoqëria merr frymë, hap horizontet, gjen rrugën drejt emancipimit.
Kritika është dashuri për vendin, dashuri për të ardhmen, dashuri për lirinë.

Të jesh kritik është të ndërtosh një kulturë të përhershme rezistence ndaj çdo padrejtësie.
Nuk duhet të reagojmë vetëm kur gjërat janë të padurueshme, por çdo ditë, në çdo moment, në çdo formë.
Kritika nuk duhet të jetë shpërthim i rrallë, por kulturë e përhershme.
Një shoqëri me kritikë është një shoqëri që ecën.
Një shoqëri pa kritikë është një shoqëri e vdekur, një varr i hapur.

Prandaj, të jesh kritik nuk është vetëm një e drejtë.
Është një detyrim moral, një përgjegjësi qytetare, një provë e lirisë së shpirtit.
Të mos heshtësh është arma më e fortë që mund të ketë njeriu kundër padrejtësisë.
Dhe vetëm një popull që mëson të kritikojë, është një popull që nuk skllavërohet më.

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: WindowMedia.de

Rate it