play_arrow
Window Radio WindowRadio.de
Shqipëria nuk ka mungesë partish që quhen të djathta. Ka mungesë të së djathtës si ide, si elitë dhe si sistem vlerash.
Ka ardhur koha të thuhet pa doreza Në Shqipëri e djathta nuk është mposhtur. Ajo, në të vërtetë, nuk është ndërtuar kurrë.
Për dekada shqiptarëve u është ofruar një iluzion politik. Ku mjafton që një parti të quhet e djathtë, të përdorë disa simbole, të flasë kundër komunizmit apo të ngrejë dy gishta dhe menjëherë ajo konsiderohet “e djathtë”. Ky është mashtrimi themelor.
E djathta nuk është emër. Nuk është simbol. Nuk është pasuri. Nuk është një lider. E djathta është një koncept.
Dhe një koncept politik provohet nga mënyra se si organizohet një parti Nga vlerat mbi të cilat ndërtohet, Nga qëndrueshmëria e saj Dhe nga shoqëria që synon të krijojë.
Në Shqipëri është luajtur për shumë gjatë loja e vetëemërimit. Parti që ndryshojnë qëndrime sipas rrethanave vazhdojnë të quhen të djathta. Liderë që ndërtojnë gjithçka rreth vetes paraqiten si përfaqësues të së djathtës. Ndërsa pas çdo krize, debati nis sërish nga e para Po kush është e djathta?
Përgjigjja është më e thjeshtë nga sa duket E djathta nuk përcaktohet nga ajo që thua se je. Përcaktohet nga ajo që mbron kur pushteti të kushton.
Një e djathtë e vërtetë nuk ndërtohet rreth kultit të individit. Ajo ndërton institucione. Nuk krijon mite personale. Krijon një elitë. Nuk pret që një lider ta shpëtojë partinë. Ndërton një brez që është në gjendje ta vazhdojë atë edhe pasi lideri të jetë larguar.
Kjo është arsyeja pse shumë prej të ashtuquajturave parti të djathta shqiptare kanë mbetur të brishta: Ato kanë pasur liderë, Por nuk kanë krijuar një doktrinë Kanë pasur zgjedhës, Por nuk kanë krijuar një Elitë. Kanë pasur pushtet, por nuk kanë ndërtuar një kulturë të së djathtës.
Komunizmi nuk vrau vetëm kundërshtarët. Vrau elitën. Për të kuptuar boshllëkun e sotëm duhet të kthehemi pas.
Para komunizmit, Shqipëria kishte një Elitë politike, intelektuale, kulturore dhe ekonomike. Një elitë e formuar në kushtet e nacionalizmit, patriotizmit, dijes dhe përgjegjësisë publike.
Komunizmi e kuptoi shumë mirë se pushteti i tij Nuk mund të konsolidohej pa shkatërruar pikërisht këtë shtresë. Dhe e bëri.
Elita u vra, u burgos, u internua, u shpronësua dhe u përjashtua nga jeta publike. Në vend të saj u krijua një klasë e re e lidhur me pushtetin, Ndërsa meritokracia u zëvendësua me besnikërinë ndaj regjimit.
Por goditja nuk ishte vetëm politike apo ekonomike. Ishte edhe shpirtërore. U godit feja, tradita, prona, familja Dhe çdo institucion që mund të qëndronte midis individit dhe shtetit.
Shqipëria u shpall shtet ateist. Kulti i partisë zëvendësoi besimin, Ndërsa internacionalizmi proletar u vu përballë vetëdijes kombëtare. Prandaj trashëgimia më e rëndë e komunizmit nuk është vetëm ekonomike. Është fakti se ai ndërpreu vazhdimësinë e elitës shqiptare. Dhe një vend pa elitë nuk prodhon dot një të djathtë të vërtetë.
Tre shtyllat që e bëjnë të djathtën konservatore. Konservatorizmi nuk është nostalgji për të shkuarën. Është bindja se një shoqëri nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar gjithçka që e ka mbajtur në këmbë. Në themelin e tij qëndrojnë Zoti, Kombi dhe Familja. Besimi si themel shpirtëror. Kombi si identitet dhe përgjegjësi historike. Familja si institucioni i parë i shoqërisë.
Por krahas tyre qëndrojnë edhe prona private, përgjegjësia individuale, iniciativa e lirë, Shteti ligjor, ekonomia kapitaliste, meritokracia dhe ruajtja e identitetit kombëtar Si vazhdimësisë demografike të kombit. Këto nuk janë dekor politik. Janë boshti mbi të cilin ndërtohet një shoqëri konservatore.
E djathta nuk është kundër ndryshimit. Ajo është kundër idesë se çdo gjë e vjetër duhet shkatërruar Vetëm sepse është e vjetër. Ajo nuk e sheh familjen si një strukturë të tejkaluar, kombin si një pengesë apo traditën si një barrë. Përkundrazi: ajo i sheh këto si kapitalin moral dhe historik të një shoqërie.
Liria ekonomike nuk është “treg i lirë” në kuptimin propagandistik Edhe këtu Shqipëria ka vuajtur nga konfuzioni.
E djathta nuk mjaftohet me shprehjen “treg i lirë”. Ajo mbron një ekonomi ku prona private, konkurrenca, iniciativa dhe përgjegjësia individuale krijojnë mirëqenie. Por tregu nuk është i lirë kur kontrollohet nga monopole. Një monopol privat mund të jetë po aq shkatërrues për konkurrencën sa një monopol shtetëror.
Prandaj e djathta konservatore duhet të jetë njëkohësisht mbrojtëse e kapitalizmit Dhe kundërshtare e monopoleve, E klientelizmit dhe e përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e pak njerëzve. Kjo është e kundërta e një sistemi ku pushteti politik dhe ekonomik shkrihen në një.
Pse e majta ka mbijetuar më mirë se e djathta? Sepse e majta ka pasur një gjë që e djathta shqiptare nuk e ka ndërtuar dot Një ideologji të vazhdueshme.
Mund të ndryshojë emrat, sloganet, kostumet dhe terminologjinë. Mund të flasë sot për progres, nesër për globalizëm dhe pasnesër për një tjetër formë të së njëjtës qasje.
Por boshti mbetet Më shumë kontroll mbi shoqërinë Dhe më pak hapësirë për autonominë e individit, familjes, komunitetit dhe kombit.
Në këtë pikë, beteja politike shqiptare nuk është thjesht betejë për pushtetin. Është betejë për modelin e shoqërisë. Dhe kur e djathta nuk ekziston si forcë ideore, Ajo hapësirë pushtohet natyrshëm nga e majta.
Shqipërisë i duhet një tjetër parti. I duhet një tjetër kulturë politike. Ky është thelbi. Shqipëria nuk ka nevojë për një parti tjetër që të vendosë fjalën “e djathtë” në emër. Ka nevojë për një forcë që ta meritojë atë emër. Një forcë që nuk ndërtohet mbi një njeri Por mbi një doktrinë. Që nuk kërkon ithtarë, por krijon qytetarë. Që nuk prodhon kult liderësh, Por prodhon elitë. Që nuk ndryshon parimet për të fituar zgjedhjet, Por fiton zgjedhjet sepse ka parime.
Sepse e djathta nuk lind nga një konferencë themeluese. Ajo lind nga një shoqëri që beson në disa vlera Dhe është e gatshme t’i mbrojë ato. Prandaj problemi më i madh i Shqipërisë sot Nuk është se cila parti do të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme. Problemi është shumë më i thellë Kush do ta ndërtojë të djathtën shqiptare?
Dhe përgjigjja nuk mund të jetë më një emër. Duhet të jetë një Elitë e re, E formuar mbi dije, meritë, patriotizëm, përgjegjësi dhe parime konservatore.
Sepse nëse kjo nuk ndodh, boshllëku do të vazhdojë të mbushet me pseudo parti. Dhe historia politike nuk njeh boshllëqe për shumë gjatë.
Kur e djathta mungon, e majta nuk ka nevojë të fitojë. Ajo thjesht qeveris boshllëkun. Kjo është drama e vërtetë shqiptare. Nuk na mungon thjeshtë një parti e djathtë. Na mungon E DJATHTA. KONSERVATORE. NA MUNGON ELITA E KOMBIT.
Shkruan Fatmir Mërkoçi:
Written by: WindowMedia.de
Copyright Window Media - Developed by Bledi Orhani