Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

KREVATËT NË TITUJ:KASAFORTAT NË HESHTJE:BOLL NA TRAJTUAT SI BUDALLENJ:

todayOctober 4, 2026 3

Background
share close

Na keni çarë karin me krevate.
Kush po e zhvesh shtetin?
Na keni çarë karin me video, përgjime, kamera të fshehta, krevate, çarçafë, kush shkoi me kë, kush filmoi kë dhe kush ia çoi kujt.
Hap telefonin:
Skandal krevati.
Hap Facebook-un:
Një tjetër video.
Hap portalin:
“Pamjet që tronditën vendin”.
Hap komentet:
Një tufë njerëzish që kërkojnë lidhjen, ndërsa bëjnë sikur po mbrojnë moralin.
Sikur Shqipëria sapo zbuloi seksin.
Sikur halli më i madh i këtij vendi është se dy të rritur kanë hyrë në një dhomë dhe nuk kanë ftuar komisionin e moralit t’u mbajë procesverbalin.
Dhe jo, nuk e kam me seksin.
Njerëzit kanë bërë seks para internetit, bëjnë sot dhe do të bëjnë edhe kur portalet tuaja të jenë mbyllur dhe titujt tuaj të kenë përfunduar në koshin e harresës.
Nuk më intereson të numëroj partnerët e askujt.
Nuk më intereson të kontrolloj dëshirat e askujt.
Nuk më intereson të shpall veten inspektor të brekëve të kombit.
E kam me atë mut zakoni që e kthen besimin e tjetrit në material shantazhi.
Me atë që filmon pa dijeni.
Me atë që regjistron fshehurazi.
Me atë që ruan intimitetin e një njeriu siç ruhet një armë në sirtar:
Jo, sepse të duhet sot, por sepse mund të të hyjë në punë nesër.
Sot afërsi.
Nesër kërcënim.
Sot “më beso”.
Nesër “kujdes çfarë bën, se kam videon”.
Çfarë trimërie ka këtu? Çfarë burrërie? Çfarë zgjuarsie?
Të përfitosh nga një njeri që të beson dhe pastaj ta mbash peng me atë besim është poshtërsi.
Nuk të bën të fortë.
Të bën një copë frikacak që kërkon pushtet mbi tjetrin duke i futur kamerën në jetën private.
Pastaj fillon zinxhiri i ndyrë.
Ia çon shokut. Shoku ia çon një tjetri.
Tjetri e hedh në grup. Dikush e ruan.
Dikush e pret. Dikush i shton muzikë.
Dikush e bën meme. Dikush i vendos një titull.
Dhe më në fund del portali, vesh kostumin e gazetarisë dhe na e shet gjithë këtë pisllëk si shërbim ndaj publikut.
Secili ka një justifikim gati.
“Unë vetëm e mora.”
“Unë vetëm e pashë.”
“Unë vetëm e shpërndava.”
“Unë vetëm raportova.”
Po, të gjithë “vetëm”. Dhe një njeri përfundon i ekspozuar përpara mijëra vetave!
Sepse secili prej jush bëri atë “vetëm” të vogël.
Mos u fshihni pas gishtit.
Poshtërimi nuk ecën vetë.
Ju ia hapni rrugën.

Unë bëj ndonjë meme.
Hedh ndonjë sarkazëm.
Tall ndonjë hipokrizi dhe vazhdoj ditën.
Por nuk kam ndërmend të kthehem në magazinier videosh intime, as në administrator të ndonjë arkivi të ndyrë ku njerëzit katalogohen sipas asaj që kanë bërë në krevat.
Dhe ç’karin më duhet mua të bëj shenjtorin?
Jam burrë. Kam dëshira.
Shoh një grua që më pëlqen dhe më tërheq.
Nuk do të dal këtu të bëj sikur jam prodhuar pa hormone dhe pa fantazi.
Por dëshira ime nuk më jep të drejtë mbi dinjitetin e saj.
Një marrëdhënie nuk më jep leje ta regjistroj fshehurazi.
Një afërsi nuk më jep të drejtë ta kërcënoj.
Një ndarje nuk më jep të drejtë të hakmerrem duke i nxjerrë jetën private për konsum.
Ka njerëz që këtë dallim e kuptojnë shumë mirë, por bëjnë sikur nuk e kuptojnë kur u leverdis.
Prandaj boll me moralin e rremë.
Boll me ata që në publik bëjnë predikuesin, ndërsa në privat shkruajnë:
“A e ke videon e plotë?”
E dënon apo po e porosit?
Të shqetëson cenimi i intimitetit apo të shqetëson që të tjerët e kanë parë para teje?
Sepse nuk mund të shkruash “turp për këtë shoqëri” dhe pastaj të bëhesh korrieri i turpit në pesë grupe WhatsApp-i.
Nuk mund të mbrosh familjen me status dhe të shpërndash poshtërimin e familjes së dikujt tjetër me mesazh.
Kjo nuk është moral.
Është hipokrizi me internet të shpejtë.
Dhe portalet?
Një pjesë prej tyre sillen sikur detyra e gazetarisë është të gjejë vrimën më të vogël nga ku mund të shohë jetën private të dikujt.
Nuk u mjafton të thonë se ka një material.
Duhet ta sugjerojnë pamjen.
Duhet të nxjerrin copëza.
Duhet ta mbajnë ndezur kureshtjen.
Duhet të shkruajnë “të tjera detaje”, “zbulohet gjithçka”, “ja çfarë nuk keni parë”.
Çfarë po zbuloni, more?
Një abuzim me pushtetin apo trupin e një njeriu që nuk ka pranuar të bëhet produkti juaj?
Nëse ka shantazh, hetoni shantazhin.
Nëse ka kërcënim, hetoni kërcënimin.
Nëse ka abuzim me detyrën, ndiqni dokumentet, përgjegjësit dhe provat.
Por mos na shisni epshin për klikime si gazetari investigative.
Gazetaria duhet të zbulojë atë që pushteti fsheh nga qytetari.
Ju po merreni me atë që qytetari ka të drejtë ta mbajë private.
Dhe pastaj i vendosni një reklamë sipër.
Një tjetër poshtë.
Një video automatike në mes.
Poshtërimi i dikujt bëhet vend ku shisni hapësirë reklamimi.
Sa më shumë qarkullon materiali, aq më shumë fitoni vëmendje.
Sa më shumë shkatërrohet një njeri, aq më gjatë mbahet lajmi gjallë.
Ky është biznesi që duhet ta thoni me emrin e vet:
Tregti me intimitetin.
Por mua më intereson edhe diçka tjetër.
PSE TANI?
Nëse këto materiale kanë ekzistuar prej kohësh, pse dalin pikërisht tani?
Kush i kishte?
Kush i ruante?
Kush vendosi t’i nxirrte?
Çfarë ndodhi para publikimit?
A u kërkua diçka në këmbim të heshtjes?
A pati konflikt, presion, hakmarrje?
Kush përfiton nga momenti dhe nga përmasat e kësaj zhurme?
Nuk kam prova të shpall organizatorin.
Nuk do të shpik një emër që të dukem sikur di gjithçka.
Por nuk do ta bëj as budallain që mendon se materialet private mbijnë vetë në portale.
Dikush i ka mbajtur. Dikush i ka dërguar.
Dikush ka vendosur t’i publikojë.
Dikush ka zgjedhur çfarë të nxjerrë dhe çfarë të mbajë.
Pikërisht këtë rrugë dua ta shoh të hetuar.
Sepse materiali që shohim është vetëm fundi i zinxhirit.
Përpara tij mund të ketë pasur muaj heshtjeje, presioni apo pazari.
Pa e ditur këtë, publiku ushqehet me copën që dikush ka zgjedhur t’i japë.

Ndërkohë, jashtë krevatit ka një shtet që duhet të japë llogari.
Ka tendera për të kontrolluar. Ka shpenzime për të shpjeguar.
Ka vendime për të zbardhur.
Ka pyetje për AKSHI-n, SHISH-in dhe çështje të tjera që nuk marrin përgjigje duke kërkuar videon e radhës.
Për këto duhen dokumente. Duhen prova.
Duhen emra dhe përgjegjësi të verifikuara.
Por sa kohë publiku zihet për çarçafët, pyetjet për kontratat mbeten pa zë.
Sa kohë komentet numërojnë partnerë, askush nuk numëron faturat.
Sa kohë titujt ndjekin një dhomë gjumi, zyrat që duhet të përgjigjen kanë një ditë më të qetë.
Nuk po them se pushteti e prodhon çdo skandal.
Po them se një pushteti që ka për të dhënë llogari, shpërqendrimi i publikut i vjen për bukuri.
Edhe kur nuk e organizon, mund të përfitojë prej tij.
Dhe ne bëjmë punën që i leverdis:
Harrojmë pyetjen e vështirë dhe hidhemi mbi spektaklin e lehtë.
Sepse është më kollaj të komentosh një video sesa të lexosh një kontratë.
Është më kollaj të fyesh një person të ekspozuar sesa të kërkosh përgjigje nga një zyrtar.
Është më kollaj të shkruash një batutë sesa të këmbëngulësh për muaj të tërë që një institucion të hapë dokumentet.
Por vendi nuk ndryshon nga batutat mbi jetën private të njerëzve.
Vendi ndryshon kur përgjegjësi nuk arrin të fshihet më pas zhurmës.
Mua më intereson kush firmosi. Kush autorizoi pagesën.
Kush përfitoi. Kush kontrolloi punën.
Kush heshti kur duhej të fliste. Kush duhet të përgjigjet për dëmin.
Më intereson ku shkuan paratë dhe çfarë mori qytetari në këmbim.
Nuk më intereson ta trajtoj jetën intime të dikujt si raport financiar të republikës.
Sepse ndërsa rrjeti kërkon pamje të tjera, njerëzit vazhdojnë me hallet e tyre.
Me qiranë. Me faturat.
Me rrogën që nuk del.
Me punën që nuk gjendet. Me shërbimin që vonon.
Me fëmijën që mendon të largohet.
Këta njerëz nuk kanë nevojë për një tjetër kameraman krevatesh.
Kanë nevojë për informacion që u tregon çfarë po bëhet me jetën dhe paratë e tyre.
Dhe ata që janë ekspozuar në këto materiale nuk pushojnë së qeni njerëz vetëm sepse turma ka gjetur argëtimin e javës.
Kanë një jetë për të vazhduar pasi ju të keni mbaruar së qeshuri.
Kanë njerëz përballë të cilëve duhet të dalin.
Kanë një telefon që mund t’u bëhet burim kërcënimi sa herë ndizet.
Fama nuk është leje për t’i zhveshur publikisht.
Një gabim nuk është autorizim për poshtërim pa afat.
Dhe dëshira e turmës për ta parë një material nuk është pëlqimi i personit që ndodhet brenda tij.
Prandaj boll.
Boll me kameramanët e fshehtë.
Boll me koleksionistët që ruajnë intimitetin si municion.
Boll me ata që shpërndajnë dhe pastaj lajnë duart me një “s’e nxora unë i pari”.
Boll me portalet që i kanë kthyer faqet në dyqane poshtërimi dhe kanë fytyrë ta quajnë këtë informim.
Boll me moralistët që e mallkojnë videon në publik dhe e lypin në privat.
Nëse doni të bëni gazetari, ndiqni abuzimin deri te përgjegjësi.
Nëse doni të mbroni publikun, kërkoni përgjigje për atë që e prek publikun.
Nëse doni transparencë, hapni kontratat, faturat, vendimet dhe dosjet.
Mos na hapni derën e një dhome gjumi dhe të na thoni se na zbuluat Shqipërinë.
Na keni çarë karin me këtë cirk.
Unë dua të di kush po e zhvesh shtetin, kush po e zbraz kasafortën dhe kush po na e shet heshtjen për normalitet.
Dua të di kush po vjedh vendin, jo kush po qihet në të.

Written by: WindowMedia.de

Rate it