Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Histori

“Zbulimi i Shekullit” nga Emisioni i Kel Demit ne Parlamentin Israelit” si u themeluan Orikumi dhe Finiqi nga hebrenj të ardhur nga Jerusalemi?

todayOctober 6, 2026 10

Background
share close

Nga Auron Tare

Prej disa ditësh qarkullojnë në rrjetet sociale disa pjesë nga fjalime të Kryeministrit shqiptar, të mbajtura në Jerusalem dhe në Tiranë, në të cilat hidhen disa teza të pazakonta mbi historinë e qyteteve antike të Shqipërisë.

Sipas këtyre deklarimeve, dy prej qyteteve më të rëndësishme të botës antike në territorin e sotëm shqiptar Orikumi dhe Finiqi qenkan themeluar nga kolonë hebrenj të larguar nga Jerusalemi pas shkatërrimit të Tempullit nga ushtritë romake.

Në pamje të parë, kjo mund të duket si një tezë interesante nga ato qe shpesh prezantohen tek emisioni I Kel Demit per te argetuar publikun ne mengjez.

Por kur një hipotezë e tillë paraqitet nga Kryeministri i një vendi në një forum ndërkombëtar, ajo nuk është më thjesht një kuriozitet historik. Ajo merr peshën e një deklarimi publik dhe, nëse nuk mbështetet nga burime shkencore, mund të kthehet në një problem serioz për mënyrën se si interpretohet dhe prezantohet historia.

Një Kryeministër që ka në dispozicion Akademinë e Shkencave, Institutin e Arkeologjisë, universitetet shqiptare dhe një komunitet të tërë studiuesish, përpara se të paraqesë në Jerusalem ose në një forum ndërkombëtar një tezë të tillë duhet të ketë pas vetes një argumentim shkencor të dokumentuar.

Nëse Finiqi është një qytet i themeluar nga kolonë hebrenj të ardhur nga Jerusalemi, duhet të ekzistojnë gjurmë të kësaj kolonie, dëshmi epigrafike, materiale arkeologjike, dëshmi historike, ndryshime të dallueshme në kulturën materiale, ose së paku burime të lashta që e lidhin themelimin e qytetit me një migrim të tillë.

Deri më sot, një provë e tillë nuk është zbuluar, as nga kërkimet e hershme arkeologjike të drejtuara nga Luigi Maria Ugolini, as kërkimet e mëvonshme shqiptare, as ekspeditat dhe studimet ndërkombëtare të zhvilluara në Finiq nuk kanë prodhuar një dëshmi të tillë që ta identifikojë Finiqin si një koloni hebraike të themeluar nga të shpërngulurit prej Jerusalemit.

Finiqi nuk shfaqet papritur në histori pas shkatërrimit të Tempullit të Jerusalemit në vitin 70 të erës sonë. Qyteti dhe territori i tij kanë një histori shumë më të hershme. Finiqi ishte qendra politike e Kaonisë dhe më vonë kryeqendra e Lidhjes së Epirit.

Burimet antike e vendosin historinë e tij shumë shekuj përpara ngjarjeve të vitit 70.Pra, nëse dikush pretendon se qyteti është themeluar nga hebrenj të larguar nga Jerusalemi pas shkatërrimit të Tempullit, duhet të shpjegojë një paradoks elementar, Si mund të themelohet në shekullin I pas Krishtit një qytet që burimet antike e njohin shumë shekuj më parë?

E njëjta pyetje vlen edhe për Orikumin.Orikumi është një qendër e njohur e bregdetit të Epirit që shfaqet në burimet antike shumë përpara vitit 70 të erës sonë. Pseudo-Skylaksi, në përshkrimin e tij të brigjeve të Adriatikut dhe Epirit, e njeh Orikun,
Më vonë qyteti shfaqet në burime të tjera greke dhe romake dhe luan një rol të rëndësishëm në historinë ushtarake të Adriatikut. Kjo nuk do të thotë se hebrenj nuk kanë jetuar në Epir, në Iliri apo në qytetet e bregdetit shqiptar.

Përkundrazi, prania hebraike në hapësirën ballkanike është një temë historike serioze dhe e vlefshme për t’u studiuar.Por prania e hebrenjve në një qytet nuk është e njëjta gjë me themelimin e atij qyteti nga hebrenjtë.

Ky është një dallim themelor për çdo dashamires te historisë.

Një komunitet mund të vendoset në një qytet ekzistues. Mund të krijojë një lagje, një sinagogë, një varrezë, të zhvillojë tregtinë dhe të ketë ndikim ekonomik e kulturor. Por prej kësaj nuk mund të nxirret automatikisht përfundimi se ai komunitet e ka themeluar qytetin.

Përndryshe, me të njëjtën logjikë, çdo qytet ku kanë jetuar në periudha të ndryshme romakë, venecianë, osmanë, hebrenj, grekë apo shqiptarë do të mund të shpallej qytet i themeluar nga secili prej tyre.
Kjo nuk është histori. Është etimologji politike.

Prandaj nëse zbulimet e fundit arkeologjike te konfirmuara nga Akademia e Shkencave flasin per nje zbulim te ri arkeologjik që ndryshon atë që dimë për themelimin e Orikumit apo Finiqit, ky do të ishte një lajm i jashtëzakonshëm për shkencën shqiptare.

Do të ishte vërtet një “zbulim i shekullit” dhe mund te prezantohet ne cdo Forum Nderkombetar.

Perndryshe, ne se eshte nje rrefim politik per te marre vemendje dhe mbeshtetje personale do ishte mire qe ne fillim te prezantohej ne Emisionin e mengjezit te Kel Demit pasi me te vertete do te sherbente per argetimin e publikut ne mengjez.

Duke pire kafe, sigurisht…

Written by: WindowMedia.de

Rate it