Your dedications
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Histori

81 vite nga pushkatimi i Ndue Palit / Si e vrau ish shoku i shkollës / “Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!

todayAugust 15, 2026 50

Background
share close

Kanë kaluar 81 vite nga mëngjesi i 15 gushtit 1945, kur Ndue Mirash Pali u pushkatua në Zall të Kirit, në Shkodër, pasi ishte dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarakee partisë komuniste që sapo kishte marrë pushtetin.

Në momentet e fundit të jetës, ai iu drejtua rinisë nacionaliste me një mesazh për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike.

Ndue Pali ishte një i ri me bindje nacionaliste dhe ndër të parët që kundërshtuan fashizmin në Shqipëri. Për këtë arsye, gjatë pushtimit italian, ai u internua në Ventotene, ku qëndroi për rreth dy vjet e gjysmë.

Pas kthimit në Shqipëri, Pali u konsiderua nga regjimi komunist si një kundërshtar i rrezikshëm, veçanërisht për shkak të ndikimit që kishte në zonën e Dukagjinit.

Ai u arrestua pasi ishte dorëzuar në besë, pas një amnistie të shpallur për të arratisurit, dhe më pas iu nënshtrua torturave gjatë hetuesisë në Shkodër.

Në muajt e parë të vitit 1945, Ndue Pali doli para Gjykatës Ushtarake në Shkodër. Përballë tij ishte prokurori Aranit Çela, me të cilin kishte qenë nxënës në Shkollën Tregtare.

Sipas kujtimeve të lëna në familje, Pali e akuzonte Çelën se kishte spiunuar organizatorët e një demonstrate antifashiste në Vlorë, duke bërë që ata të internoheshin në Itali.

Në sallën e gjyqit, Çela kërkoi dënimin me vdekje për Palin, ndërsa ky i fundit ia kujtoi të kaluarën dhe e akuzoi se kishte bashkëpunuar me fashistët dhe se tashmë ishte bërë pjesë e aparatit represiv komunist.

Gjyqi zgjati disa muaj dhe në korrik të vitit 1945 u dha vendimi përfundimtar: Ndue Pali u dënua me vdekje, me pushkatim.

Ai u vendos në një qeli të posaçme së bashku me të dënuar të tjerë me vdekje, ku priti për rreth një muaj ekzekutimin.

Mëngjesin e 15 gushtit 1945, rreth orës 05:00, gardianët shkuan për ta nxjerrë nga qelia.

Pali dhe bashkëvuajtësi i tij, Caf Meti, kishin mprehur prej kohësh bishtat e lugëve, duke i kthyer në mjete të mprehta. Ata u përleshën me gardianët dhe gjatë konfliktit vranë dy prej tyre.

Pas ndërhyrjes së forcave të tjera, të dy u morën dhe u dërguan në Zall të Kirit, ku do të ekzekutoheshin.

Në rolin e prokurorit, Aranit Çela ishte i pranishëm edhe në momentet e fundit të jetës së ish-shokut të tij të shkollës. Ai mori fjalën e fundit të dy të dënuarve dhe e hodhi atë në procesverbal.

Dokumenti, i publikuar ruan fjalët e fundit të Ndue Palit:

“Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin! Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike! Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarëve! Të fala familjes”.

Procesverbali, i cili mban firmën e Aranit Çelës, mbetet një nga dëshmitë e rralla të fjalëve të fundit të Ndue Palit, vetëm pak çaste para ekzekutimit të tij.

Written by: WindowMedia.de

Rate it